“Askush s’po lihet në margjina”, thotë Rubio pas takimit me Rusinë, pa Ukrainën
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, e ka komentuar Ukrainën dhe mungesën e BE-së nga bisedimet e së martës në Riad me përfaqësues rusë.
Gjatë një konference pas bisedimeve, kryediplomati amerikan tha se “askush nuk po lihet në margjina këtu”, raporton televizioni BBC.
Sipas tij, nga këto bisedime mund të dalin “disa gjëra shumë pozitive për Shtetet e Bashkuara, për Evropën, për Ukrainën, për botën, por së pari nis me fundin e këtij konflikti”.
Rubio më tej tha: “Në mënyrë që ky konflikt të përfundojë, secili në këtë konflikt duhet të jetë në rregull me këtë, kjo duhet të jetë e pranueshme për ta.”
“Sot është hapi i parë i një udhëtimi të gjatë e të vështirë, por të rëndësishëm. Presidenti Trump është i përkushtuar për t’i dhënë fund këtij konflikti, siç ka thënë gjatë fushatës për president” – paralajmëroi Rubio.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për krijimin e kushteve për rivendosjen e bashkëpunimit të plotë mes dy shteteve.