Asambleja Kombëtare e Francës e miraton rritjen e pagave dhe pensioneve - NACIONALE

Asambleja Kombëtare e Francës e miraton rritjen e pagave dhe pensioneve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Asambleja Kombëtare e Francës të martën miratoi një projektligj për rritjen e pensioneve dhe ngrirjen e përkohshme të shtrenjtimit të qirasë.

Në testin e parë të aftësisë së presidentit Macron për të arritur kompromise përtej linjave partiake pas humbjes së shumicës absolute në zgjedhjet e fundit, projektligji do të dërgohet në Senat, dhomë e lartë e Kuvendit të Francës, e mbizotëruar nga konservatorët.

“Kemi shënuar sukses për arritjen e një shumice me bazë rast për rast për t’i ofruar popullit francez zgjidhje konkrete”, tha të premten kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, shkruan "Reuters".

Në projektligj përfshihet edhe rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik, çeqe për ushqim dhe një mekanizëm me të cilin kompanitë mund t’u ofrojnë pagesa shtesë më të larta pa taksa punëtorëve. Pritet që kostoja e këtyre masave në buxhet të jetë rreth 20 miliardë euro.

Në një rast tjetër, debatet për një projektligj financiar do të fillojnë të premten pasdite, ku mund të përfshihet zbritja e çmimit të karburanteve, që mund t’i kushtojë me miliarda euro qeverisë.

“Nëse disa njerëz mendojnë se për t’ua lehtësuar gjendjen bashkëvendësve tanë, është e parapëlqyer që të rritet zbritja nga shtatori e tutje, që do t’i shtohet zbritjes që ofrohet në total, unë jam i hapur për këtë propozim”, tha ministri i Financave, Bruno Le Maire.

Ndihma për qytetarët për ta ballafaquar koston më të lartë të jetesës, kryesisht të shkaktuar nga rritja e çmimeve të energjisë pas fillimit të luftës në Ukrainë, ishte njëri nga premtimet kyçe të Macron-it pas protestave masive të jelekverdhëve. Muajin e kaluar, inflacioni në Francë arriti në 6.5 për qind.

Votimi, që u bë natën vonë, erdhi pas debatit të ashpër në të cilin politikanët e aleancës majtiste, Nupes, që është blloku më i madh opozitar, e kritikuan qeverinë për masat, të cilat, sipas tyre, nuk janë mjaftueshëm të gjera.

Sidoqoftë, projektligji u miratua me 341 vota për e 116 kundër. Masat e qeverisë u përkrahën nga Republikanët dhe e djathta ekstreme, “Rassemblent National”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme