Arsenali bërthamor global pritet të rritet për herë të parë në dekada - NACIONALE

Arsenali bërthamor global pritet të rritet për herë të parë në dekada

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një organizatë e konfliktit dhe armëve thotë se, arsenali bërthamor i botës pritet të rritet në vitet e ardhshme për herë të parë që nga fundi i luftës së ftohtë, dhe rreziku se ato mund të përdoren është më i madhi ndonjëherë.

Instituti Ndërkombëtar i Paqes për Kërkime në Stokholm (Sipri), tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe mbështetja perëndimore për Kievin kanë rritur tensionet midis nëntë shteteve të botës që posedojnë armë bërthamore.

E pavarësisht se pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dolën më një deklaratë në vitin 2021, ku thuhej se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë,” këto vende që përfshijnë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Rusinë, Kinën dhe Francën, vazhdojnë të zgjerojnë ose modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore.

Sipas një vlerësimi nga studiuesit në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, aktualisht Mbretëria e Bashkuar ka rreth 195 koka bërthamore, nga të cilat 120 janë operacionale. E ndërsa vendi ka kritikuar vazhdimisht Rusinë e Kinën për mungesë transparence mbi armët bërthamore, ka njoftuar se më tutje as ajo nuk do të zbulojë publikisht shifrat për rezervat e armëve bërthamore të vendit.

Sa i përket Francës, në fillim të vitit 2021, vendi nisi zyrtarisht një program për të zhvilluar një nëndetëse raketore balistike të gjeneratës së tretë me fuqi bërthamore (SSBN), ndërsa duket se edhe India e Pakistani po zgjerojnë arsenalet e tyre bërthamore, pasi në po të njejtin vit të dyja vendet prezantuan dhe vazhduan të zhvillojnë lloje të reja të sistemit të shpërndarjes bërthamore.

Besohet se edhe Izraeli - i cili nuk e pranon publikisht posedimin e armëve bërthamore, është duke modernizuar arsenalin e tij bërthamor.

Sipas insitutit në Stokholm, numri i armëve bërthamore ka rënë pak midis janarit 2021 dhe janarit 2022, megjithatë, paralajmërohet se numri i tyre mund të rritet së shpejti.

"Të gjitha shtetet e armatosura bërthamore po rrisin ose përmirësojnë arsenalet e tyre dhe shumica po mprehin retorikën bërthamore dhe rolin që armët bërthamore luajnë në strategjitë e tyre ushtarake," tha Dr Wilfred Wan, drejtori i programit të armëve të shkatërrimit në masë të Sipri-t.

"Ka indikacione të qarta se reduktimet që kanë karakterizuar arsenalet bërthamore globale që nga fundi i luftës së ftohtë kanë përfunduar," tha Hans M Kristensen, një bashkëpunëtor i lartë i programit të armëve të shkatërrimit në masë të Sipri dhe drejtor i Projektit të Informacionit Bërthamor në Federata e Shkencëtarëve Amerikanë (FAS).

Kujtojmë se, vetëm tre ditë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, të cilin Kremlini e quan një "operacion special ushtarak", presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi arsenalin bërthamor të Rusisë në gatishmëri të lartë, duke paralajmëruar vendet që duan ta pengojnë në rrugën e nisur.

Rusia është vendi që ka arsenalin më të madh bërthamor në botë, me gjithsej 5,977 koka luftarake, 550 më shumë se SHBA-ja. E të dyja vendet së bashku, zotërojnë më shumë se 90% të kokave të luftës në botë, megjithëse Sipri tha se edhe Kina kishte rritur numrin e armëve, me më shumë se 300 kapanone raketash të reja.

Sipas institutit, numri global i kokave bërthamore kishte rënë nga 13,080 që ishte në janar 2021 në 12,705 në janar 2022. Rreth 3,732 koka luftarake ishin vendosur në raketa dhe avionë, dhe rreth 2,000 të tjera që i përkisnin Rusisë dhe SHBA-së mbaheshin në gatishmëri të lartë.

Pavarësisht shpresave në epokën e pasluftës së ftohtë se vendet do të hiqnin dorë nga armët e tyre bërthamore, pak vende e kanë ndjekur, ku edhe disa marrëveshje për të kufizuar forcat bërthamore kanë pasur veprim të kundërt.

Ndërsa, sa i përket vendeve që kanë hequr dorë nga armët bërthamore, një ndër to është Afrika e Jugut e cila në vitin 1993 hoqi dorë nga rezervat e saj të vogla prej gjashtë kokash bërthamore, edhe Iraku nën presionin ndërkombëtar, ka braktisur programin e tij të kërkimit të armëve bërthamore.

E për shkak të një premtimi të pakompletuar të sigurisë, ndër vendet që hoqën dorë nga arsenali i armëve bërthamore është edhe Ukraina.

Artikull i përkthyer nga The Guardian.

Lajme të ngjashme