Arrihet armëpushim mes grupeve rivale, qetësohen luftimet në Libi - NACIONALE

Arrihet armëpushim mes grupeve rivale, qetësohen luftimet në Libi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Luftimet më të rënda në kryeqytetin libian në disa vjet u qetësuan të mërkurën, një orë pasi Qeveria njoftoi armëpushim, thanë banorët e Tripolit. Nuk pati deklaratë të menjëhershme nga autoritetet për numrin e të vrarëve.

Përleshjet shpërthyen të hënën vonë pas vrasjes së një udhëheqësi të rëndësishëm militant. Pas qetësimit të martën në mëngjes, luftimet rinisën gjatë natës, me beteja në distrikte në mbarë qytetin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Forcat e rregullta, në bashkërendim me autoritetet përkatëse të sigurisë, kanë filluar që t’i ndërmarrin masat e nevojshme për ta garantuar qetësinë, përfshirë dislokimin e njësiteve neutrale” – tha Ministria e Mbrojtjes.

Sipas kësaj ministrie, njësitet neutrale që ishte duke i dislokuar përreth zonave të ndjeshme ishin nga forca policore, e cila nuk bart armë të rënda.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi, UNSMIL, tha se ishte “thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi i dhunës në lagje me populli të dendur në Tripoli” dhe bëri thirrje urgjente për armëpushim.

Banorët e Tripolit, që kishin mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve, u shprehën të tmerruar me shpërthimin e papritur të dhunës, e cila erdhi pas disa javëve me tensione në rritje mes grupeve të armatosura.

Në periferinë perëndimore Saraj, Mohamad Juma tha se luftimet ndërpriteshin për disa minuta para se të rinisnin përsëri. “Sa herë që ndalen, ndihemi të lehtësuar, por pastaj na humb shpresa sërish” – tha ai.

Lajme të ngjashme