Arrestohet në ShBA aktivisit palestinez që e ndihmoi udhëheqjen e protestave studentore kundër Izraelit
Autoritetet federale të migracionit në ShBA arrestuan një aktivist palestinez që kishte luajtur rol të rëndësishëm në protestat e studentëve të Universitetit të Kolumbias kundër Izraelit, eskalim domethënës i zotimit të administratës së presidentit Donald Trump për t’i ndaluar e dëbuar aktivistët studentorë.
Mahmoud Khalil, student i diplomuar në Universitetin e Kolumbias deri në dhjetorin e vitit të kaluar, ndodhej në banesën që është në pronësi të universitetit të shtunën në mbrëmje, kur disa agjentë të migracionit dhe doganave hynë dhe e morën në ndalim, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” avokatja e tij, Amy Greer.
Zonja Greer tha se bisedoi përmes telefonit me njërin nga agjentët e migracionit dhe doganave, i cili tha se ekipi po vepronte sipas urdhrave të Departamentit të Shtetit për t’ia shfuqizuar vizën studentore aktivistit Khalil. Kur u njoftua nga avokatja se Khalili ndodhej në ShBA si banor i përhershëm me kartë të gjelbër, agjenti më pas tha se po e shfuqizonin kartën e gjelbër, sipas avokates.
Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë së Atdheut, e konfirmoi arrestimin e Khalilit në një deklaratë të dielën, duke thënë se ky veprim është “në mbështetje të urdhrave ekzekutivë të presidentit Trump që e ndalojnë antisemitizmin”.
Arrestimi i Khalilit është përpjekja e parë e njohur publikisht për dëbim nën premtimin e Trumpit për shtypje ndaj studentëve që ishin bërë pjesë e protestave kundër luftës në Gaza, kur ishin përfshirë kampuse universitare pranverën e kaluar. Administrata amerikane ka pretenduar se pjesëmarrësit në këto protesta e kanë humbur të drejtën e tyre për të qëndruar në vend përmes përkrahjes ndaj Hamasit.
Zëdhënësja McLaughlin sinjalizoi se arrestimi i aktivistit ishte drejtpërdrejt i lidhur me rolin e tij në protesta, duke pretenduar se Khalili “udhëhoqi aktivitete të rreshtuara me Hamasin, organizatë e cilësuar terroriste”.
Përderisa agjentët e migracionit dhe doganave arritën në banesën e Khalilit në Manhattan të shtunën në mbrëmje, ata gjithashtu kërcënuan se do ta arrestonin edhe bashkëshorten e tij, shtetase amerikane në muajin e tetë të shtatzënisë, tha avokatja Greer./Nacionale