Arrestohet gjenerali libian i akuzuar për krime kundër njerëzimit, Osama Almasri Najim - NACIONALE

Arrestohet gjenerali libian i akuzuar për krime kundër njerëzimit, Osama Almasri Najim

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një gjeneral libian i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është arrestuar në Tripoli.

Osama Almasri Najim, ish-drejtor i policisë juridike të Libisë, u arrestua nën akuzat për torturimin e të burgosurve, duke çuar në vdekjen e njërit prej tyre, në burgun kryesor të Tripoli, tha të mërkurën zyra e prokurorit të Libisë, shkruan gazeta “The Guardian”.

Qeveria italiane ishte kritikuar në janar, pasi Najim ishte arrestuar në Torino me urdhërarrest të GjNP-së, por ishte liruar dy ditë më vonë dhe ishte dërguar në Tripoli me një aeroplan të forcave ajrore italiane.

Në një deklaratë, zyra e prokurorit të Libisë tha se i kishte ndjekur dyshimet e GjNP-së, kishte grumbulluar të dhëna për “shkelje të të drejtave të njeriut kundër të burgosurve në burgun kryesor të Tripolit, të cilët raportuan se ishin subjekt i torturës dhe trajtimit mizor e degradues”.

Më tej, në deklaratë thuhet se Najim ishte marrë në pyetje për dyshimet për abuzim kundër dhjetë të burgosurve dhe vdekjen e një tjetri. Arrestimi i tij u bë “duke marrë parasysh që u ndërtua dëshmi e mjaftueshme për t’i mbështetur akuzat”, thuhet më tutje.

Najim është në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale nën dyshimet për krime lufte, krime kundër njerëzimit, përdhunim dhe vrasje.

Ai ishte arrestuar në Torino, pasi kishte marrë pjesë në një ndeshje futbolli para se të lirohej dhe të riatdhesohej. Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se ai ishte riatdhesuar shpejt, sepse cilësohej si rrezik për sigurinë nacionale të vendit të saj.

Lajme të ngjashme