Arrestohet edhe një i dyshuar për komplotin për sulm në koncertin e Taylor Swift-it në Vjenë
Autoritetet në Austri kanë ndaluar një të dyshuar të tretë në Vjenë në lidhje me komplotin e raportuar për të sulmuar një koncert të këngëtares Taylor Swift në kryeqytetin austriak, tha të premten Ministria e Brendshme.
Shtetasi irakian 18-vjeçar thuhet se vjen nga rrethi i njëjtë si i dyshuari kryesor, një austriak 19-vjeçar me rrënjë nga Maqedonia e Veriut, sipas kësaj ministrie, raporton agjencia “Reuters”.
Më shumë të dyshuar do të merren në pyetje dhe do të zhvillohen kërkime në prona, përderisa hetuesit po vazhdojnë ta analizojnë komplotin, thuhet më tej në njoftim.
I dyshuari kryesor, i cili ishte zotuar për besnikëri ndaj ISIS-it, ishte duke planifikuar një sulm vdekjeprurës në mesin e 20 mijë pjesëmarrësve që pritej të grumbulloheshin në koncert.
Këngëtarja e njohur amerikane kishte planifikuar që të mbante koncerte në Vjenë të enjten, të premten dhe të shtunën. Të tria koncertet u anuluan të mërkurën vonë për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Dy të rinj të tjerë austriakë, 15 dhe 17 vjeç, u ndaluan të mërkurën si të dyshuar për këtë rast.
I dyshuari 15-vjeçar tashmë është liruar dhe është duke u trajtuar si dëshmitar, raportoi të premten gazeta austriake, “Kurier”.
I dyshuari irakian raportohet se ishte betuar për besnikëri ndaj ISIS-it më 6 gusht, por mbetet e paqartë nëse ai kishte të bënte me sulmin e planifikuar, thuhet në raportimin e kësaj gazete.
Thuhet se autoritetet austriake kanë marrë informacione për rrezikun në koncertin e planifikuar të këngëtares nga inteligjenca amerikane, pasi me ligje austriake nuk lejohet përcjellja e aplikacioneve për mesazhe, të cilat të dyshuarit i kishin përdorur për të komunikuar./Nacionale