Arrestohen në Kroaci dy persona për vjedhjen e verërave 1.7-milionshe në Spanjë - NACIONALE

Arrestohen në Kroaci dy persona për vjedhjen e verërave 1.7-milionshe në Spanjë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ish-garuese e bukurisë nga Meksika dhe një shoqërues rumuno-holandez i saj janë arrestuar në Kroaci për vjedhjen e verërave me vlerë të 1.7 milion dollarëve në Spanjë pas nëntë muajve ndjekje në Evropë, njoftoi policia spanjolle të mërkurën.

Përmes një deklarate, policia tha se 45 shishe verë me vlerë të përgjithshme prej 1.65 milion eurosh ishin vjedhur në qytetin Caceres, përfshirë një verë unike të shekullit XIX me vlerë të 310.000 eurove. Shishet ishin vjedhur nga bodrumet e restorantit e hotelit të famshëm, “El Atrio”.

Policia beson se meksikania 29-vjeçare, e cila raportohet se kishte marrë pjesë në një garë bukurie në atdhe, i kishte penguar kamerierët e hotelit duke porositur shërbim në dhomë nga restoranti, pasi kuzhina ishte mbyllur, raporton agjencia "Reuters".

Ndërkohë shoqëruesi i saj 47-vjeçar ishte futur në bodrumin e verërave, e kishte hapur atë me një çelës që e kishte vjedhur gjatë një vizite paraprake dhe kishte mbushur tri çanta shpine me shishe të verës dhe i kishte mbështjellë me peshqirë të hotelit për t’i mbrojtur.

Të nesërmen, në kamera ishin parë të dy duke dalë nga hoteli në orën 5 e 30 minuta të mëngjesit, pasi ishin paraqitur me dokumente të rreme zvicerane të identifikimit. Ata nuk kishin lënë shenja forenzike në hotel, duke bërë që policia të besonte se prapa vjedhjes qëndronte një bandë e krimit të organizuar.

Dy të dyshuarit e kishin vizituar hotelin tri herë para vjedhjes dhe, si shumë klientëve, u ishte ofruar mundësia për ta parë bodrumin, thuhet në deklaratën e policisë.

Në mesin e shisheve të vjedhura të verërave të rralla ishte edhe një shishe me verë “Bordeaux Chateau d’Yquem” e vitit 1806, që kishte vlerë të pallogaritshme, tha njëri nga pronarët e hotelit, Jose Polo.

“Ajo shishe ishte pjesë e historisë sime personale, pothuajse pjesë e imja, e historisë së Atrio-s, por edhe e Caceres-it, e qytetarëve të tij, e dashamirëve të verës në mbarë botën”, shtoi ai.

Dy të dyshuarit ishin larguar nga Spanja pas disa ditëve dhe po kërkoheshin nga autoritetet në mbarë Evropën para se të identifikoheshin nga rojat kufitare kroate duke hyrë nga Mali i Zi, tha policia.

Policia spanjolle bashkëpunoi me policitë e Holandës, Kroacisë dhe Rumanisë si dhe Interpol-in për t’i kapur këta dy persona.

Sipas medieve spanjolle, vera e vjedhur nuk është gjetur dhe hetimet janë duke vazhduar./Nacionale

Lajme të ngjashme