Arrestohen dy palestinezë për vrasjen me sëpatë të tre izraelitëve
Policia në Izrael, ka bërë të ditur se dy palestinezë të dyshuar për vrasjen e tre izraelitëve në një sulm me sëpatë dhe thikë të enjten janë arrestuar.
Sulmuesit vranë tre izraelitë në një park ku familjet ishin mbledhur për të festuar Ditën e Pavarësisë. Sulmi ishte i fundit nga një valë sulmesh vdekjeprurëse në Izrael nga palestinezët ose arabët izraelitë që nga fundi i marsit.
Në këtë sulm mbetën të plagosur edhe shtatë persona të tjerë, ndërsa dy të dyshuarit u kapën të fshehur në një shkurre.
Që nga 21 marsi, shtatëmbëdhjetë izraelitë, duke përfshirë një polic arab izraelit, dhe dy ukrainas janë vrarë në sulmet në Izrael dhe Bregun Perëndimor. Ndërsa, që atëherë janë vrarë edhe të paktën 26 palestinezë, përfshirë sulmuesit.
Kohët e fundit, tensionet janë rritur mbi vendin e shenjtë në Jerusalem të njohur për myslimanët si kompleksi i xhamisë al-Aksa dhe për hebrenjtë si Mali i Tempullit. Vendi ka parë dhunë të përsëritur gjatë muajit të kaluar, me qindra palestinezë të plagosur në përleshjet me policinë.