Arrestohen dhjetëra studentë në ShBA, policia e shpërndan protestën për Gazën
Dhjetëra student janë arrestuar, pasi qindra policë të Nju-Jorkut u futën në Universitetin e Kolumbias të martën për të shpërndarë një turmë në një ndërtesë akademike që ishte marrë nën kontroll si pjesë e një proteste pro-palestineze.
Në pamje të drejtpërdrejta u panë policët me pajisje kundër trazirave duke hyrë në kampusin e universitetit në Manhattan, pikë kyçe e protestave gjithëkombëtare të studentëve kundër luftës së Izraelit në Gaza. Policia përdori një automjet të blinduar për ta siguruar hyrjen në katin e dytë të ndërtesës, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet thanë se përdorën shok-bomba për ta shpërndarë turmën, por mohuan se përdorën gaz lotsjellës si pjesë e operacionit.
Pak më vonë, policët u panë duke drejtuar protestues me duar të lidhura drejt autobusëve të policisë që po prisnin pranë portave të kampusit. Zëdhënësi i policisë së Nju-Jorkut, Carlos Nieves, tha se ai nuk kishte raportime të menjëhershme për ndonjë lëndim pas arrestimeve.
“Do ta pastrojmë” – bërtitën policët, përderisa u nisën drejt hyrjes së barrikaduar të ndërtesës.
“Turp! Turp” – bërtitën shumë student që po shikonin e që ndodheshin ende jashtë kampusit.
Një protestuese që u prezantua vetëm si Sophie i tha gazetës “The Guardian” se policia i kishte barrikaduar protestuesit brenda ndërtesave para se t’i bënte arrestimet. “Kjo nuk do të harrohet. Kjo nuk është më çështje Izrael – Palestinë. Është çështje e të drejtave të njeriut dhe e lirisë së shprehjes dhe e studentëve të [Universitetit të] Kolumbias” – tha ajo.
Operacioni policor, që kryesisht u përmbyll pas disa orëve, erdhi pas gati dy javëve me tensione. Protestuesit pro-palestinezë kishin shpërfillur një ultimatum të hënën për t’u larguar nga hapësira që e kishin zënë, në të kundërtën do të rrezikoheshin për t’u pezulluar nga universiteti.
Të martën, zyrtarë të Universitetit të Kolumbias kërcënuan me përjashtim akademik të studentëve që e kishin marrë nën kontroll Sallën “Hamilton”, ndërtesë tetëkatëshe e neoklasicizmit, që ishte bllokuar nga protestuesit që i lidhën duart për të formuar një barrikadë dhe brohoritën slogane pro-palestineze.