Arrestohen 6 amerikanë në Korenë e Jugut, donin të çonin oriz e të holla në Korenë e Veriut - NACIONALE

Arrestohen 6 amerikanë në Korenë e Jugut, donin të çonin oriz e të holla në Korenë e Veriut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Policia e Koresë së Jugut ka ndaluar gjashtë shtetas amerikanë, të cilët po përpiqeshin që të dërgonin rreth 1.300 shishe plastike të mbushura me oriz, bankënota dollarësh dhe Bibla në Korenë e Veriut, tha të premten një zyrtar policor.

Grupi po mundohej që t’i dërgonte shishet përmes detit në një ishull kufitar në perëndim të kryeqytetit Seul, para se të vëreheshin nga një patrullë ushtarake, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar në stacionin policor në Incheon Ganghwa.

Gjashtë amerikanët dyshohen për shkeljen e aktit të fatkeqësive dhe sigurisë përmes veprimeve të tyre në një zonë që rishtazi është cilësuar “zonë rreziku”, prandaj ndalohen aktivitetet që vlerësohen si të dëmshme ndaj banorëve, tha më tej zyrtari.

“Jemi duke i hetuar ata përmes një përkthyesi dhe do të vendosim pas 48 orëve nëse do të lirohen apo jo” – shtoi ai.

Që nga ardhja në pushtet më herët këtë muaj, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, është zotuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve fqinje.

Lee i ka pezulluar transmetimet me altoparlantë kundër Koresë së Veriut në kufi dhe ka kërkuar nga aktivistët në Jug që lëshojnë balona me helium që bartin fletushka me kritika ndaj udhëheqësve autoritar të vendit fqinj që t’i ndërpresin veprimet e tyre në përpjekje që të parandalohet ngritja e tensioneve.

Ankesat e banorëve se veprimet e aktivistëve i vënë ata në rrezik kanë ndikuar që disa zona kufitare në Korenë e Jugut të cilësohen “zona të rrezikut” që nga fundi i vitit të kaluar, duke ua mundësuar autoriteteve shtimin e vëzhgimit të lëshimit të balonave dhe fushatave të tjera kundër Koresë së Veriut./Nacionale

Lajme të ngjashme