Armëpushimi në Gaza: 5 pikat kryesore që po diskutohen në Egjipt - NACIONALE

Armëpushimi në Gaza: 5 pikat kryesore që po diskutohen në Egjipt

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Delegacione nga Izraeli dhe Hamasi po zhvillojnë negociata indirekte në Egjipt mbi propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Plani i Trump kërkon që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet, ndërsa Izraeli të lirojë të burgosur palestinezë, të tërheqë forcat e tij nga Gaza në vija të dakorduara sipas një afati kohor. Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi kanë sinjalizuar gatishmëri për të punuar drejt një marrëveshjeje.

Aktualisht, po diskutohen disa çështje kyçe mes palëve, që i përmbledh CNN:

Lirimi i pengjeve

Hamasi ka pranuar njërën nga kërkesat më të rëndësishme të planit të Trump: lirimin e të gjitha pengjeve në fillim të armëpushimit. Hamasi ka rënë dakord me “formulën e shkëmbimit” të përshkruar në plan: të gjithë 48 pengjet e mbetur në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë dhe 1,700 palestinezëve nga Gaza të arrestuar pas 7 Tetorit.

Çarmatosja e Hamasit

Përgjigjja e Hamasit nuk e trajton çështjen e çarmatosjes apo të heqjes dorë nga armët – një kusht kyç i planit të Trump dhe një kërkesë e komunitetit ndërkombëtar. Hamasi ka refuzuar vazhdimisht të çarmatoset.

“Bordi i Paqes”

Në përgjigjen më të fundit të Hamasit mungon çdo përmendje e komitetit ndërkombëtar mbikëqyrës të udhëhequr nga Trump, një “Bord Paqeje” që pritet të mbikëqyrë qeverisjen lokale palestineze.

Qeverisja e Gazës

Grupi militant gjithashtu ka deklaruar se është i gatshëm t’ia dorëzojë pushtetin në Gaza teknokratëve palestinezë të pavarur, në përputhje të ngushtë me gjuhën e përdorur në planin amerikan.

Garancitë nga Izraeli

Hamasi po kërkon garanci që Izraeli do të zbatojë marrëveshjen, si dhe garanci për kalim të sigurt për figurat e larta që do të largohen nga territori. Kjo e fundit është veçanërisht e ndjeshme, pasi Izraeli ka ndërmarrë një sërë sulmesh kundër udhëheqjes së Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha.

Lajme të ngjashme