Armëpushimi i brishtë: Sulmet ajrore izraelite në Gaza vranë të paktën 104 persona gjatë natës
Sulmet izraelite gjatë natës në Rripin e Gazës vranë të paktën 104 palestinezë, përfshirë edhe fëmijë, në atë që duket të jetë sfida më e madhe deri tani ndaj armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i marrëveshjes së paqes, shkruan The Guardian.
Sipas agjencisë së mbrojtjes civile në Gaza, sulmet – ndër më të përgjakshmet në luftën dyvjeçare – lanë të paktën 35 fëmijë të vdekur dhe plagosën 200 persona. Ato ndodhën vetëm disa orë pasi Donald Trump deklaroi se asgjë nuk do të rrezikonte marrëveshjen e armëpushimit që ai kishte ndihmuar të arrihej.
Mohammed al-Mughir, drejtor i mbështetjes humanitare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në mbrojtjen civile të Gazës, i tha gazetës The Guardian: “Mes këtyre sulmeve ishte edhe goditja e një kampi për pacientë me kancer, kampi Insan.”
Bilanci i viktimave u konfirmua nga një përmbledhje e Agence France-Presse (AFP), e cila u bazua në raportet e zyrtarëve mjekësorë nga pesë spitale të Gazës që pranuan të vdekurit dhe të plagosurit.