Armenia nënshkruan marrëveshje me Francën për blerje të obusëve “Caesar”
Franca ka nënshkruar një kontratë për t’i shitur Armenisë obusë të tipit “Caesar”, tha të martën ministri i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, përderisa Jerevani po i thellon lidhjet ushtarake me Perëndimin dhe po largohet nga aleatja tradicionale, Rusia.
Lecornu tha në rrjetin X se kontrata është nënshkruar gjatë një takimi me homologun e tij armen, Suren Papikyan. Ai nuk tregoi se sa sisteme do të tilla do të blejë Armenia, raporton agjencia “Reuters”.
Franca ka diasporë të madhe armene dhe tradicionalisht është njëra nga përkrahëset më të fuqishme evropiane të Jerevanit.
Armenia zyrtarisht është aleate e Rusisë, por viteve të fundit ka bërë ndryshim të drejtimit diplomatik dhe ushtarak drejt shteteve perëndimore, duke e akuzuar Moskën për dështim që ta mbrojë nga rivali Azerbajxhani.
Rusia i ka hedhur poshtë kritikat dhe e ka paralajmëruar Armeninë që të mos flirtojë me Perëndimin.
Në shtator të vitit të kaluar, Azerbjaxhani e rimori nën kontroll rajonin e Nagorno-Karabakut, duke siguruar një fitore vendimtare në konfliktin që kishte zgjatur për më shumë se tri dekada dhe duke nxitur eksod masiv të popullsisë etnike armene.
Nous continuons de renforcer notre relation de défense avec l’Arménie.
— Sébastien Lecornu (@SebLecornu) June 18, 2024
Entretien chaleureux et productif avec mon homologue 🇦🇲@papikyan_suren, en marge d’Eurosatory.
Nouveau jalon important avec la signature d'un contrat pour l’acquisition de canons CAESAR. pic.twitter.com/WT7wpSxo6f