Armenia e arreston kryepeshkopin Galstanyan, e akuzon për komplot grushtshteti
Autoritetet armene të mërkurën e arrestuan kryepeshkopin Bagrat Galstanyan dhe e akuzuan për orkestrimin e një komploti për ta rrëzuar Qeverinë.
Në një deklaratë, Komiteti Hetues i Armenisë tha se Galstanyan-i dhe bashkëpunëtorët e dyshuar të tij i kishin “siguruar mënyrat dhe mjetet e nevojshme për të kryer një sulm terrorist dhe për ta marrë pushtetin”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kryeministri Nikol Pashinyan tha në rrjetin “Telegram” se autoritetet kishin parandaluar një “plan të madh dhe ogurzi nga një kler oligarkik-kriminal” që ta marrë pushtetin në Armeni.
Ky është arrestimi i dytë këtë muaj i një kundërshtari të njohur të Qeverisë, pasi miliarderi ruso-armen i patundshmërive, Samvel Karapetyan, u ndalua nën akuzat se kishte bërë thirrje publike për ta uzurpuar pushtetin.
Agjencia “Reuters” nuk arriti që të kontaktonte menjëherë një avokat të Galstanyan-it. Avokatët e Karapetyan-it thonë se biznesmeni ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje.
Pashinyani erdhi në pushtet përmes një vale të protestave në vitin 2018, por u vu nën trysni të madhe pas humbjeve të mëdha ndaj Azerbajxhanit në një luftë të shkurtër më 2020.
Në vitin 2023, Azerbajxhani e rimori nën kontroll tërë enklavën e Nagorno-Karabakut, ku armenët etnik gëzonin me dekada pavarësi de fakto./Nacionale