Arabia Saudite ka kryer numër “tmerrues” të ekzekutimeve të të huajve në lidhje me drogën
Arabia Saudite ka kryer numër “tmerrues” të ekzekutimeve për krime që lidhen me drogën gjatë dekadës së kaluar. Shumica e rasteve ishin shtetas të huaj, sipas organizatës “Amnesty International”.
Gati 600 njerëz janë ekzekutuar gjatë dekadës së kaluar për shkelje që lidhjen me drogën, sipas hulumtimit të kësaj organizate, dhe tri të katërtat e rasteve ishin shtetas të huaj nga shtete si Pakistani, Siria, Jemeni, Nigeria dhe Egjipti, raporton gazeta “The Guardian”.
Pas një moratoriumi të përkohshëm për ndëshkimin më të rëndë në lidhje me drogën mes viteve 2021 e 2022, ekzekutimet arritën nivel rekord, me 122 raste vitin e kaluar dhe 118 deri më tanik ëtë vit, deri në fund të qershorit.
Me pak vëzhgim ndërkombëtar të atyre që organizata “Amnesty International” i përshkruan si “gjykime tepër të padrejta” dhe “shpërfillje të frikshme për jetën njerëzore”, organizata paralajmëroi se numri i të ekzekutuarve vetëm do të rritet.
Dana Ahmed, hulumtuese e kësaj organizate për Lindjen e Mesme, tha: “Jemi dëshmitarë të një trendi vërtet tmerrues, ku shtetas të huaj po ekzekutohen në shkallë tronditëse për krime që kurrë nuk do të duhej ta bartnin dënimin me vdekje.”
“Bindja e shteteve për t’i vënë në pah dhe për t’i dënuar abuzimet saudite me të drejtat nuk ka qenë kurrë e lehtë, duke i marrë parasysh xhepat e saj të thellë dhe peshën gjeopolitike. Me konflikte që po vazhdojnë në Lindjen e Mesme, vëzhgimi është pakësuar edhe më tej” – shtoi ajo.
“Amnesty International” tha se kishte gjetur shtetas të huaj të cilët ishin “mashtruar dhe shfrytëzuar”, pasi ishin joshur për t’u bërë pjesë e trafikimit të drogës, ndërkohë kishin imigruar për punë, me shpërblime që nuk e justifikonin rrezikun e dënimit me vdekje për krimin e tyre./Nacionale