Arabia Saudite blen dronë nga Turqia gjatë vizitës së Erdoganit
Arabia Saudite u pajtua të martën që të blejë dronë turq, që janë në mesin e disa kontratave fitimprurëse që presidenti turk, Rexhep Erdogan, i siguroi për ekonominë që po ballafaqohet me vështirësi.
Erdogani dhe princi saudit, Mohammed bin Salman, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit mes kompanisë turke të mbrojtjes, “Baykar”, dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Arabisë Saudite, raportoi agjencia shtetërore saudite e lajmeve, SPA, përcjell agjencia “Reuters”.
Arabia Saudite do t’i marrë dronët “me qëllim fuqizimin e gatishmërisë së forcave të armatosura të mbretërisë dhe forcimin e aftësive të mbrojtjes dhe prodhimit”- tha të martën ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Khalid bin Salman.
Investimet dhe financimi nga vendet e Gjirit e kanë ndihmuar largimin e presionit ndaj ekonomisë turke dhe rezervave të valutës së saj nga viti 2021, kur Ankaraja e nisi përpjekjen diplomatike për përmirësimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Turqia ka pasur mosmarrëveshje me vite me dy shtetet e Gjirit për shkak të përkrahjes së Ankarasë për lëvizjet pro-demokratike në Lindje të Mesme dhe në Afrikë Veriore si dhe për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll më 2018.
Erdogani do të udhëtojë për në Katar të martën, ndërsa të mërkurën pritet që t’i vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas disa të dhënave të publikuara të hënën, deficiti buxhetor i Turqisë në qershor shkoi në nivel shtatë herë më të lartë se para një viti, ndërsa inflacioni vjetor muajin e kaluar qe gati 40 për qind e vlera e lirës për gati 29 për qind më e dobët këtë vit.
