AP: ShBA-ja kishte program sekret spiunazhi në Venezuelë, e shkeli të drejtën ndërkombëtare - NACIONALE

AP: ShBA-ja kishte program sekret spiunazhi në Venezuelë, e shkeli të drejtën ndërkombëtare

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një dokument të brendshëm, që e ka siguruar agjencia “Associated Press”, jepen hollësi të një operacioni sekret të gjatë me vite nga Administrata Zbatuese e Drogës e ShBA-së [DEA], në të cilin ishin dërguar operativë sekretë në Venezuelë që në mënyrë të fshehtë të regjistronin dhe të ndërtonin raste të trafikimit të drogës kundër udhëheqësisë së vendit – plan për të cilin ShBA-ja nga fillimi kishte pranuar se ishte dukshëm shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

“Është e nevojshme që të kryhet ky operacion në mënyrë të njëanshme dhe pa i njoftuar zyrtarët venezuelas” – thuhet në dokumentin e vitit 2018 me 15 faqe me hollësi rreth “Operacionit Vjedulla e Parave”, hetim për të cilin autoritetet thonë se kishte në shënjestër dhjetëra njerëz, përfshirë presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, raporton agjencia “Associated Press”.

Përderisa nuk ka mekanizëm të qartë për t’i mbajtur ligjërisht përgjegjëse Shtetet e Bashkuara, zbulimi i këtij operacioni rrezikon që t’i turbullojë marrëdhëniet tashmë të tensionuara me qeverinë socialiste të Maduros dhe mund t’i thellojë inatet ndaj ShBA-së në mbarë Amerikën Latine për atë që perceptohet si ndërhyrje në punë të brendshme. Ky zbulim gjithashtu ofron një pamje të rrallë të largësisë ku agjencia DEA ishte e gatshme që të shkonte për ta luftuar drogën në një shtet që i kishte ndaluar agjentët amerikanë kundër drogës para gati dy dekadave.

Disa nga aleatët më të ngushtë të Maduros ishin zënë në grackë gjatë këtij hetimi, përfshirë biznesmenin Alex Saab, i cili rishtazi u lirua përmes një shkëmbimi të të burgosurve për dhjetë amerikanë e një kontraktorë të mbrojtjes në arrati. Megjithatë, deri më tani nuk ishte e qartë që hetimet e ShBA-së rreth Venezuelës përfshinin taktika ligjërisht të diskutueshme.

“Neve nuk ka pëlqen që ta themi këtë publikisht, por ne jemi, në të vërtetë, policia e botës” – tha Wes Tabor, ish-zyrtar i DEA-s, i cili kishte shërbyer si atashe i saj në Venezuelë para se të nisej hetimi i përshkruar në dokumentin e brendshëm.

Tabori, i cili nuk mundi ta konfirmonte ekzistencën e ndonjë operacioni të tillë, tha se veprimet e fshehta e të njëanshme mund të jenë mjet efikas, kur kryhen me kufizime e llogaridhënie të duhur, sidomos në një shtet si Venezuela, ku vijat e paqarta mes shteti dhe botës kriminale e kanë bërë atë pikë ideale transiti për deri në 15 për qind të kokainës së botës.

DEA dhe Departamenti i Drejtësisë refuzuan që t’u përgjigjeshin pyetjeve të agjencisë “Associated Press” rreth këtij dokumenti, sa shpesh ShBA-ja kryen aktivitete të njëanshme dhe për përbërjen e panelit që miraton operacione të tilla.

Ministria e Komunikimeve e Venezuelës nuk iu përgjigj kërkesave për koment. Megjithatë, ditëve të fundit Maduroja i kishte akuzuar DEA-n dhe CIA-n për ndërmarrje të përpjekjeve për ta destabilizuar vendin. CIA refuzoi që të komentonte.

“Nuk mendoj se presidenti Biden është i përfshirë, por CIA dhe DEA operojnë në mënyrë të pavarur si organizata kriminale imperialiste” – tha këtë muaj Maduroja në një paraqitje televizive.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme