AP: Marrëveshja për Ukrainën u ndihmon edhe fermerëve e ekonomisë ruse - NACIONALE

AP: Marrëveshja për Ukrainën u ndihmon edhe fermerëve e ekonomisë ruse

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me shumë bujë, anije pas anije, të ngarkuara me drithëra, janë nisur nga Ukraina pas bllokimit në portet e Detit të Zi për gati gjashtë muaj. Në mënyrë më të qetë, me një marrëveshje paralele u plotësuan edhe kërkesat e Moskës për t’ia hapur rrugën grurit të saj për në botë, gjithashtu, duke fuqizuar një industri vitale për ekonominë e Rusisë, që është goditur nga sanksionet.

Associated Press

Përderisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë po punojnë për t’i shtypur financat e Rusisë me një rrjet ndëshkimesh për pushtimin e Ukrainës, ato i kanë shmangur sanksionet ndaj drithërave dhe mallrave të tjera ruse, që përdoren si ushqim në pjesë të ndryshme të botës.

Gruri, elbi, mistri dhe vaji i lulediellit nga Ukraina dhe Rusia janë të rëndësishëm për shtetet në Azi, Afrikë dhe Lindje të Mesme, ku miliona njerëz varen nga buka e financuar pjesërisht për të mbijetuar. Pasi lufta shkaktoi rritje të çmimeve të ushqimit dhe energjisë, miliona njerëz janë zhytur në varfëri ose janë më afër vdekjes nga uria.

Dy marrëveshjet e ndërmjetësuara muajin e kaluar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për zhbllokimin e eksporteve ushqimore varen nga njëra-tjetra: njëra i mbron anijet që eksportojnë drithëra ukrainase përmes Detit të Zi, ndërsa tjetra e siguron Rusinë që ushqimet dhe plehtrat e saj nuk do të përballen me sanksione, duke e ruajtur njërën nga shtyllat e ekonomisë së saj dhe duke ofruar ndihmë për t’ua pakësuar shqetësimet kompanive të sigurimeve dhe bankave.

Kjo marrëveshje i lejoi një kompanie transportuese perëndimore që të zhvendoste dy anije me drithëra nga Rusia brenda sisa javësh. Ky proces zgjaste me muaj, sepse bankat perëndimore refuzonin që t’i transferonin pagesat në Rusi. Ndonëse sanksionet e ShBA-së dhe BE-së nuk e vënë drejtpërdrejt në shënjestër bujqësinë e Rusisë, bankat perëndimore kanë qenë të kujdesshme për të mos u prekur nga masat ndëshkuese, duke e vështirësuar qasjen e blerësve dhe transportuese në drithërat e Rusisë.

“Duhet të investosh kohë me bankat për t’i bërë ato që ta kuptojnë tërë këtë gjë, sepse autoriteti thotë “vazhdo, nuk ka sanksion”, por bankat vetësanksionohen”, tha Gaurav Srivastava, kompania e të cilit blen, transporton dhe shet drithëra nga rajoni i Detit të Zi.

Ai e quajti “ushtrim intensiv të punës” procesin me bankat, duke shtuar se në javët e fundit ka ndryshuar “paraqitja... e kësaj duke qenë një lloj armëpushimi mes të gjitha palëve”.

Marrëveshja ishte e rëndësishme për Rusinë, sepse ky shtet është eksportuesi më i madh i grurit në botë dhe përbën gati një të pestën e dërgesave globale. Pritet që Rusia këtë vit ta ketë njërën prej periudhave më të mira të korrje-shirjeve. Bujqësia përbën rreth 4 për qind të prodhimit bruto të Rusisë, sipas Bankës Botërore.

“Ai që është më i rëndësishëm është punësimi”, tha ekonomisti rus, Sergey Aleksashenko, duke iu referuar vendeve të punës që hapen në bujqësi. “Ato janë rreth 7 deri në 8 për qind e punësimit”, shtoi ai.

Në mesin e kërkesave të Rusisë për arritjen e marrëveshjes u përfshinë deklaratat publike të Shteteve të Bashkuara dhe BE-së se nuk do t’i sanksionojnë ushqimin dhe plehrat e Rusisë. Rusia gjithashtu i ngriti çështjet e transaksioneve financiare për Bankën Bujqësore Ruse, qasjen për anijet me flamuj rusë në porte dhe eksportimin e amoniakut, që nevojitet për prodhimin e plehrave./Nacionale

Lajme të ngjashme