AP: Huat nga Kina po i shtyjnë shtetet e varfra drejt kolapsit
Dymbëdhjetë shtete të varfra po ballafaqohen me mungesë të stabilitetit ekonomik dhe madje edhe me kolaps nën barrën e qindra miliarda dollarëve të marrë hua nga vendet e huaja, një pjesë e madhe e kësaj shume nga huadhënësja më e madhe dhe më e pafalshme, Kina.
Sipas një analize të agjencisë “Associated Press” për 12 shtete me më së shumti borxh ndaj Kinës – përfshirë Pakistanin, Kenian, Zambinë, Laosin dhe Mongolinë – kthimi i këtij borxhi po konsumon një sasi edhe më të madhe të të ardhurave nga taksat, të cilat nevojiten për funksionimin e shkollave, furnizimin me rrymë dhe pagesat për ushqim e karburante. Borxhi po i shteron rezervat e valutave të huaja, të cilat këto shtete i përdorin për ta paguar interesin e huave, duke lënë disa shtete me vetëm disa muaj kohë para se paratë t’u harxhohen.
Prapa skenës është ngurrimi i Kinës për ta falur borxhin dhe fshehtësia ekstreme e saj për shumën e parave të dhëna hua dhe kushtet e huave, duke i nxitur huadhënësit e tjerë që të mos ndërhyjnë për të ofruar ndihmë. Mbi të gjitha, qëndron zbulimi i bërë rishtazi se huamarrësit janë detyruar që t’i vendosin paratë e gatshme në llogari të fshehura të palëve të treta.
Shtetet e përfshira në analizën e AP-së kishin deri në 50 për qind të huave të huaja nga Kina dhe shumica ishin duke e ndarë një të tretën e të ardhurave qeveritare për ta paguar borxhin e jashtëm. Dy prej tyre, Zambia dhe Sri-Lanka, tashmë kanë dështuar që ta paguajnë borxhin, sepse nuk kanë mundur ta paguajnë interesin e huave me të cilat e kanë financuar ndërtimin e porteve, minierave dhe centraleve të energjisë.
Në Pakistan, miliona punëtorë të tekstilit kanë mbetur pa punë, sepse vendi ka shumë borxh të jashtëm dhe nuk mund t’i përballojë shpenzimin e energjisë dhe punën e makinave.
Në Kenia, autoritetet nuk u kanë dhënë paga mijëra punëtorëve të shërbimit civil për t’i kursyer paratë e gatshme për t’i paguar huat. Këshilltari kryesor për ekonomi i presidentit të këtij shteti muajin e kaluar tha: “Pagat apo dështimi për ta paguar borxhin? Zgjidhni.”
Që nga koha kur Sri-Landa dështoi që ta paguante borxhin para një viti, gjysmë milioni vende pune në industri janë shuar, inflacioni ka arritur në 50 për qind dhe më shumë se gjysma e popullsisë në shumë pjesë të vendit ka rënë në varfëri.
Ekspertët parashikojnë që mund të ketë një valë të dështimeve të reja të vendeve për t’i paguar borxhet dhe një valë përmbysjesh politike, nëse Kina nuk fillon që ta zbutë qëndrimin e saj për huat që ua ka dhënë vendeve të varfra.
“Në një pjesë të madhe të botës, ora e ka shënuar mesnatën. Kina është shfaqur dhe e ka lënë këtë jostabilitet gjeopolitik që mund të ketë efekte afatgjata”- tha ekonomisti i Harvardit, Ken Rogoff.
Zambia, shtet pa dalje në det në jug të Afrikës, vend me rreth 20 milionë banorë, gjatë dy dekadave të fundit ka marrë hua miliarda dollarë nga bankat shtetërore kineze për të ndërtuar diga, hekurudha dhe rrugë.
Huat e kanë fuqizuar ekonominë e vendit, por edhe i kanë ngritur pagesat për interesin e jashtëm aq lart, saqë kanë mbetur pak financa për autoritetet, duke i detyruar që t’i zvogëlojnë shpenzimet për kujdes shëndetësor, shërbime sociale dhe subvencione për bujqit për fara dhe plehra.
