Anthropic shpenzon miliona në Super Bowl për të thumbuar OpenAI rreth reklamave - NACIONALE

Anthropic shpenzon miliona në Super Bowl për të thumbuar OpenAI rreth reklamave

3 javë më parë

nga NACIONALE

Anthropic blen reklama në Super Bowl për t'i dhënë një "shuplakë" OpenAI-t lidhur me shitjen e reklamave në ChatGPT

Anthropic po shpenzon miliona dollarë për të transmetuar reklama gjatë ndeshjes së kampionatit të Ligës Kombëtare të Futbollit të dielën në mbrëmje, për të sulmuar rivalin OpenAI lidhur me planin e tij për të shitur reklama në chatbot-in ChatGPT, në atë që përbën një nga përplasjet më të mëdha publike midis kompanive të mëdha të inteligjencës artificiale.

Një spot 30-sekondësh nga Anthropic, që pritet të transmetohet në rrjetin televiziv NBC gjatë Super Bowl LX, lëshon një thumbim jo aq të fshehtë ndaj synimeve të OpenAI për të futur reklama në chatbot-in e tij me inteligjencë artificiale, ChatGPT.

Reklama shfaq një djalosh rreth të njëzetave duke bërë tërheqje në hekur në park dhe duke i kërkuar këshilla një kalimtari muskuloz se si të bëjë muskuj barku (six-pack). Burri përgjigjet në një mënyrë robotike që sugjeron se është një chatbot, duke ofruar një plan të personalizuar force. Por fillimisht, ai fut aty një reklamë për shtresa këpucësh që ndihmojnë "mbretërit e shkurtër të duken të gjatë" - duke shkaktuar një reagim të hutuar nga djaloshi.

Mesazhi kryesor: "Reklamat po vijnë në AI. Por jo te Claude", emri i chatbot-it të Anthropic.

CEO-s së OpenAI, Sam Altman, nuk i erdhi aspak për të qeshur, duke e quajtur reklamën e Anthropic "mashtruese" në një postim të mërkurën në platformën e mediave sociale X.

"Ne nuk jemi budallenj," tha Altman në një intervistë të enjten me podkastin TBPN. "Ne i respektojmë përdoruesit tanë, e kuptojmë se nëse do të bënim diçka si ajo që përshkruajnë ato reklama, njerëzit me të drejtë do të ndalonin së përdoruri produktin tonë."

OpenAI planifikon të shfrytëzojë Super Bowl-in për të promovuar produktin e tij të kodimit softuerik, Codex.

Kjo është fushata e parë në Super Bowl për Claude të Anthropic. Rreth 120 milionë shikues pritet të ndjekin ndeshjen midis Seattle Seahawks dhe New England Patriots në Santa Clara, Kaliforni. Mark Marshall, kryetari i reklamave globale të NBCUniversal, tha se kostoja mesatare për transmetimin e një spoti 30-sekondësh është 8 milionë dollarë, megjithëse disa janë shitur për më shumë se 10 milionë dollarë.

Reklamat e Super Bowl janë shfaqja më publike e një rivaliteti midis dy laboratorëve të mëdhenj të AI - asnjëri prej të cilëve nuk është fitimprurës - ndërsa kërkojnë të tërheqin konsumatorë dhe të konkurrojnë për pjesë tregu. Kompanitë po luftojnë gjithashtu për klientë biznesi ndërsa garojnë për të dalë publikisht në bursë ndoshta që këtë vit, në një proces që do t'i vërë ato përballë njëra-tjetrës për vëmendjen e investitorëve.

Sam Singer, president i "Singer Associates Public Relations", tha se mosmarrëveshja tregon se as kompanitë e inteligjencës artificiale nuk mund t'i rezistojnë "dëshirës shumë njerëzore" për t'u grindur në publik.

"Mosmarrëveshja midis OpenAI dhe Anthropic e bën Super Bowl-in më interesant," tha Singer. "Beteja tërheqëse midis dy kompanive me dy produkte të ngjashme do t'i bëjë njerëzit të mendojnë për Claude ose ChatGPT, dhe kjo do të jetë në dobi të të dyja palëve."

Ekspertët e industrisë së reklamave thanë se Anthropic dhe OpenAI mund të përfitojnë nga audienca më e madhe televizive e vitit për të kundërshtuar perceptimet negative mbi inteligjencën artificiale dhe për të ndihmuuar konsumatorët të ndihen më rehat duke përdorur chatbot-et.

"Çështja është gjetja e tonit të duhur," tha Sean Wright, shefi i analizave dhe insajteve në firmën e gjurmimit të reklamave, Guideline. "Sot, vetëm 17% e të rriturve në SHBA mendojnë se AI do të ketë një ndikim pozitiv në SHBA në 20 vitet e ardhshme. Pra, bëhet fjalë për gjetjen e ekuilibrit të duhur për të mos larguar audiencën e gjerë, shumë prej të cilëve mund të mos kenë përdorur kurrë AI."

Lajme të ngjashme