Ankth nga rritja e Trumpit, Harrisi do ta ndryshojë strategjinë e fushatës
Nënpresidentja Kamala Harris do ta ndryshojë strategjinë e fushatës për të siguruar më shumë përkrahje nga burrat dhe republikanët si dhe do t’i ashpërsojë sulmet ndaj rivalit Donald Trump, përderisa po shtohet ankthi i demokratëve për sondazhet që po tregojnë përforcime të mëdha të përkrahjes për Trumpin.
E nominuara deokrate është në garë të ngushtë me republikanin miliarder në shtete kyçe, sipas sondazheve publike dhe të brendshme të cituara nga burime brenda Partisë Demokratike, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo gjithmonë do të ishte garë e ngushtë... Kjo nuk do të thotë se nuk po mbetemi pa gjumë për këtë” – tha një ndihmës i lartë demokrat i fushatës, duke e pasqyruar atë çfarë intervistat me donatorë, ndihmës e këshilltarë e tregojnë si disponim në Shtëpinë e Bardhë dhe në Wilmington, ku ndodhet selia qendrore e fushatës së demokratëve.
Pas disa javëve duke u përqendruar në politika dhe duke u përpjekur që ta përcaktojë veten në skenën kombëtare, Harrisi do t’i kthehet qëndrimit të saj prej prokuroreje si në korrik, tha një këshilltar, duke shpresuar që të dëshmojë fuqi para votuesve që mund të tërhiqen nga imazhi i Trumpit prej një njeriu të fortë.
Në tubimin e saj të hënën në mbrëmje në Pensilvani, Harrisi e bëri hapin e rrallë të shfaqjes së videove të komenteve të Trumpit për “armikun brenda” Amerikës për ta nënvizuar argumentin e saj që ai paraqet rrezik për vendin.
Këtë javë, ajo dha një intervistë te “Charlamagne tha God” për t’iu afruar votuesve me ngjyrë, ndërsa më pas edhe një intervistë tjetër në televizionin “Fox News” për t’iu drejtuar konservatorëve. Në radhë mund të jenë i popullarizuari për podcast-e, Joe Rogan, dhe ndjekësit e tij të rinj.
Në nivel kombëtar, epërsia e Harrisit ndaj Trumpit ka rënë nga fundi i shtatorit, kur ishte 7 për qind, në vetëm 3 për qind, sipas një sondazhi të agjencisë “Reuters” dhe “Ipsos”-it. Edhe më shqetësuese për demokratët: ajo dhe Trumpi me statistika kanë përkrahje pothuajse të barabartë në shtete jetike të garës, ku pritet të përcaktohet fituesi.
Anketat që po shfaqin rezultate gjithnjë më të ngushta vijnë në kohën kur çmimet e larta të ushqimit dhe qirasë vazhdojnë t’i brengosin amerikanët, ndërsa Trumpi po e kapitalizon frikën nga kalimi i kufirit nga emigrantët në jug të vendit, duke përdorur retorikë gjithnjë më esktreme./Nacionale