Ankohet Zelensky, thotë se aleatët po vonohen në vendime kyçe për përkrahje ushtarake - NACIONALE

Ankohet Zelensky, thotë se aleatët po vonohen në vendime kyçe për përkrahje ushtarake

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë me agjencinë “Reuters” ka thënë se aleatët perëndimorë po marrin shumë kohë për të marrë vendime kyçe rreth mbështetjes ushtarake për vendin e tij.

Ai gjithashtu tha se po i shtyn partnerët për t’u përfshirë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në luftë duke ofruar ndihmë për t’i penguar raketat ruse në qiellin e Ukrainës dhe duke e lejuar Kievin që t’i përdorë armët perëndimore kundër pajisjeve ushtarake të armikut që po grumbullohen afër kufirit, raporton agjencia “Reuters”.

Thirrja për përshpejtimin e ndihmave dhe për zgjerimin e të ashtuquajturave “vija të kuqe” rreth përfshirjes në konflikt e pasqyrojnë presionin në rritje me të cilin po ballafaqohen forcat ukrainase përgjatë vijës së frontit mbi një mijë kilometra të gjatë në verilindje, lindje e juglindje të vendit.

Zelensky tha se gjendja në fushën e betejës është “njëra nga më të vështirat” që ai e ka parq që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.

Javëve të fundit, forcat ruse kanë depërtuar në verilindje të Ukrainës, duke e testuar edhe më tej mbrojtjen tashmë të tendosur të Kievit. Në të njëjtën kohë, Rusia ka marrë territore në rajonin lindor të Donbasit në beteja që nganjëherë kanë qenë të ashpra.

“Një valë shumë e fuqishme [e luftimeve] është duke u zhvilluar në Donbas… Askush madje as nuk vëren se në të vërtetë ka më shumë beteja në lindje të vendit, në mënyrë specifike në drejtimin e Donbasit: Kurakhove, Pokrovsk, Chasiv Yar” – tha presidenti ukrainas.

Sidoqoftë, ai shtoi se situata në veri të qytetit Kharkiv tani ishte “nën kontroll”.

Zelensky përsëri bëri thirrje për ndihma më të shpejta ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë. Armë dhe municion nga një pako e miratuar rishtazi në ShBA tashmë po arrijnë në Ukrainë, por ato ishin shtyrë me muaj nga përplasjet e brendshme politike në Uashington.

“Secili vendim tek i cili ne, pastaj më vonë të gjithë së bashku, vijmë, është vonë për rreth një vit, por është kështu si është: një hap i madh përpara, por para këtij, dy hapa prapa. Prandaj, ne duhet ta ndërrojmë modelin pak” – tha Zelensky.

Lajme të ngjashme