Anketë në 15 shtete: Si e mendojnë evropianët fundin e luftës në Ukrainë? - NACIONALE

Anketë në 15 shtete: Si e mendojnë evropianët fundin e luftës në Ukrainë?

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një zgjidhje e negociuar me Rusinë, e jo një fitore e plotë ushtarake e Ukrainës, tashmë shihet si rezultati më i mundshëm i luftës në shumicën e shteteve evropiane, sipas një sondazhi të gjerë në 15 vende.

Mbështetja për kauzën e Ukrainës mbetet e fortë në mbarë Evropën pavarësisht nga tërheqjet në fushën e betejës, por votuesit evropianë e shohin gjithnjë më shumë armatosjen e Ukrainës si të nevojshme jo për të arritur një fitore të plotë ukrainase në fushën e betejës, por për ta fuqizuar dorën e Ukrainës në bisedimet e ardhshme me Rusinë, raporton gazeta “The Guardian”.

Këshilli Evropian i Marrëdhënieve të Jashtme anketoi 19 mijë e 566 njerëz në 15 shtete në pjesën e parë të muajit maj. Kjo organizatë ka bërë rregullisht anketa për Ukrainën, por kjo është hera e parë që ka anketuar njerëz edhe brenda vetë Ukrainës, ku ka zbuluar se mbështetja për luftën dhe fitoren janë të forta, pavarësisht nga qarkullimi i fjalëve për dobësim të moralit.

Gjithsej 34 për qind e ukrainasve tash për tash thonë se i besojnë presidentit Volodymyr Zelensky “shumë”, ndërsa 31 për qind “goxha shumë”, që do të thotë se rreth dy të tretat e ukrainasve i besojnë atij, ndërsa një e treta jo.

Kur u pyetën për rezultatin më të mundshëm të luftës, 58 për qind e ukrainasve parashikuan fitore të vendit të tyre, 30 për qind thanë se konflikti do të përfundojë me një marrëveshje, ndërsa vetëm 1 për qind presin që Rusia të dalë fitimtare. Megjithatë, shumica e parapëlqyen dorëzimin e territorit para braktisjes së sovranitetit, i përcaktuar nga e drejta për t’u anëtarësuar në NATO dhe në BE.

Brenda 14 shteteve evropiane, vetëm në Estoni pati pikëpamje mbizotëruese (38 për qind) se Ukraina do ta fitojë plotësisht luftën. Megjithatë, shumica në Suedi e Poloni duan që Evropa ta ndihmojë Ukrainën të luftojë derisa tërë territori i saj të rifitohet.

Shumica e të anketuarve në Itali, Greqi e Bullgari e kundërshtuan këtë deri në shkallën e mendimit se ishte ide e keqe për ta shtuar furnizimin e Ukrainës me armë.

Në përgjithësi, italianët dolën si fuqia e madhe evropiane me më së paku mbështetje për Ukrainën. Sidoqoftë, në shumicën e shteteve evropiane, shumica e të anketuarve ende e përkrahin dërgimin e armëve në Ukrainë, edhe nëse bëhet fjalë për ta fuqizuar pozicionin e Kievit në bisedime./Nacionale

Lajme të ngjashme