Anë tjetër pozitive e diplomacisë për paqe në Ukrainë: Aksionet rriten, nafta lirohet - NACIONALE

Anë tjetër pozitive e diplomacisë për paqe në Ukrainë: Aksionet rriten, nafta lirohet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vlera e aksioneve në tregjet evropiane u rrit dhe çmimet e naftës ranë të martën para një takimi kyç të udhëheqësve të bankave qendrore dhe në kohën kur tregtarët i vlerësuan sinjalet premtuese diplomatike për përfundimin e armiqësive mes Rusisë dhe Ukrainës.

Vlera e euros në raport me dollarin u rrit, pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se garancitë e sigurisë për vendin e tij do të përgatiten brenda dhjetë ditëve pas bisedimeve me homologun amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqës evropianë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Vlera e aksioneve në indeksin panevropian “STOXX 600” u rrit për 0,1 për qind, aq sa edhe në indeksin britanik “FTSE 100”. Indeksi francez “CAC 40” shënoi rritje për 0,2 për qind, ndërsa gjermani “DAX’ për 0,1 për qind.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të hënën se takimi i Trumpit të hënën me Zelenskyn dhe me udhëheqës të tjerë evropianë e partnerë të NATO-s ishte shumë i suksesshëm.

Çmimet e naftës shënuan rënie, pasi pjesëmarrësit e tregut po presin përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë, zhvillim që mund t’u japë fund sanksioneve ndaj naftës së papërpunuar ruse.

Nafta e papërpunuar në ShBA u lirua për 0,9 për qind – duke rënë në 62,88 dollarë për fuçi, Çmimi në bursën “Brent” ra për 0,8 për qind.

Përpos efekteve pozitive në tregje të aksioneve e në çmimet e naftës, një sektor tjetër duket se po ua sheh sherrin sinjaleve pozitive për paqe. Vlera e aksioneve në indeksin e kompanive të mbrojtjes “SXPARO” ra për 1,3 për qind, ndërsa kontraktorit të ushtrisë suedeze “Saab AB” iu tkurr vlera për 3,7 për qind.

Lajme të ngjashme