Analizë: Ofensiva e ngecur mund të jetë problem i madh politik për Zelenskyn në ShBA
Njëra nga tragjeditë më të mëdha të Ukrainës, përderisa vendi po zhvillon një kundërsulm kritik që, deri më tani, nuk i ka përmbushur pritjet e vendësve dhe të perëndimorëve, është që ajo nuk mundet vetë ta vendosë fatin e saj.
Analizë nga Stephen Collinson, CNN
Qeveria e presidentit Volodymyr Zelensky është e varur nga rrjedhja masive e armatimit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore. Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, mania dhe llogaritja personale e fuqisë të të cilit e kanë hedhur Ukrainën në këtë luftë të tmerrshme, do të ketë fjalë të rëndësishme për atë nëse lufta do të përfundojë dhe kur do të përfundojë.
Prandaj, përderisa sakrificat në fushat e betejës do të vendosin se sa territor do të kthejë Ukraina nën kontroll, rezultati i luftës do të përcaktohet edhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë ndryshimin e forcave politike në ShBA, Moskë e në kryeqytete evropiane.
Një ofensivë e ngecur dhe një gjendje e ngrirë në dimër, për shembull, do të kishin pasoja të posaçme në Shtetet e Bashkuara, sepse kjo situatë do të mund të ngrinte pyetje për përkrahjen amerikane për luftën, e cila do të zgjatë deri në vitin e ashpër zgjedhor.
Amerikanët janë përgatitur për një përplasje të mundshme mes presidentit Joe Biden, i cili e ka ringjallur aleancën perëndimore dhe është mbështetësi i jashtëm më jetik i Ukrainës, dhe ish-presidentit Donald Trump, skeptik i NATO-s që e admiron Putinin dhe që është zotuar se do t’i japë fund luftës brenda 24 orëve, me gjasë sipas kushteve të Putinit. Edhe nëse Trumpi nuk do të jetë kandidat i Partisë Republikane më 2024, dobësimi i përkrahjes së publikut amerikan për luftën do të mund ta dëmtonte Bidenin.
Prandaj, për arsye politike e strategjike, ekziston presion i madh mbi kundërsulmin e shumëpritur të Ukrainës këtë verë që ai të prodhojë rezultate të konsiderueshme.
Megjithatë, deri më tani, kundërsulmi ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë, e jo sulm i shpejtë, duke e ngritur mundësinë që lufta të zgjasë të paktën thellë brenda vitit të ardhshëm. Nëse është kështu, ekuacioni elastik që e mbështjell tërë konfliktin – përfshirë kapacitetin e Ukrainës për të luftuar, apetitin e Amerikës për pako ndihmash multi-miliardëshe dhe durimin e Putinit për pasoja të tmerrshme – do të jetë edhe më i tendosur.
...
Vështirësitë e Ukrainës – dhe humbjet e rënda në luftime – rrjedhin pjesërisht nga pozicionet e rrënjosura e me disa shtresa të mbrojtjes së armikut, llogoret e fushat me mina që Rusia kishte disa muaj kohë për t’i vendosur dhe realiteti i fushës së betejës që forca sulmuese ka nevojë për përparësi numerike në raport me trupat e vendosura mirë në terren. Përderisa forcat ruse ishin shpërfaqur në fillim të pushtimit dhe kishin dështuar që ta merrnin Kievin, lufta tani ka hyrë në një fazë më të vështirë për Ukrainën.
Për ta lexuar analizën e plotë në gjuhën angleze, klikoni KËTU.