Botë e ndryshuar - ndoshta përgjithmonë - nga lufta në Ukrainë - NACIONALE

Botë e ndryshuar - ndoshta përgjithmonë - nga lufta në Ukrainë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

16 korrik 1945: Një re e flaktë, në formën e kërpudhës, në New Mexico e lajmëron agimin e epokës bërthamore. 20 korrik 1969: Neil Armstrong-u bën një hap në pluhurin e Hënës.

John Leicester, Associated Press

24 shkurt 2022: Presidenti rus, Vladimir Putin, i shkërmoq rendin botëror dhe gati 77 vjet të paqes pothuajse të papenguar në Evropë duke e pushtuar Ukrainën, duke e penguar furnizimin me ushqimin që ky vend e prodhon për shumë nga 8 miliardë njerëzit e botës.

Të gjitha këto ishin çaste vendimtare në historinë botërore, pika kthimi që do të mësohen në shkolla në dekadat e ardhshme. Të gjitha e ndryshuan jo vetëm jetën, por edhe trajektoret e njerëzimit. Pasojat u ndien nëpër kontinente dhe për të ardhmen e parashikueshme.

Pushtimi, vrasjet dhe gjymtimet e Rusisë i kanë future shpejt Mariupol-in, Bucha-n e emra të tjerë ukrainas në listën e gjatë evropiane të qyteteve dhe qytezave të lidhura me abuzimet e luftës: Dresden-i, Srebrenica, masakra naziste në Oradour-sur-Glane të Francës, sa për të përmendur vetëm disa prej tyre.

Pas gati gjysmë viti luftime, me dhjetëra mijëra të vdekur e të plagosur në të dyja anët, pengesat masive ndaj furnizimit me energji, stabilitetit ushqimor e financiar, bota nuk është më siç ka qenë.

Sirenat e alarmit, që ulërijnë rregullisht në qytetet ukrainase, nuk mund të dëgjohen në Paris ose Berlin, por te gjeneratat e evropianëve, që ishin rritur duke ditur se vetëm paqja është zgjuar brutalisht ndaj vlerës dhe brishtësisë së saj.

Lufta e përtërirë në Evropë dhe nevoja për të marrë anë – për vetëruajtje dhe për të qëndruar për të drejtën kundër të gabuarës – gjithashtu i kanë ndryshuar tektonikën dhe marrëdhëniet mes vendeve.

Disa tash mezi flasin me Rusinë. Disa janë lidhur së bashku. Të tjerat, sidomos në Afrikë, duan që ta shmangin avarinë mes Rusisë e Perëndimit. Disa nuk duna që ta rrezikojnë furnizimin me ushqim, energji, siguri e të ardhura. Rusia dhe vendet perëndimore po punojnë – sidomos, përsëri, në Afrikë – me ata që janë ulur në mes, duke lobuar që ata të marrin anë.

Lufta në Ukrainë po mban një pasqyrë para njerëzimit, gjithashtu, duke e pasqyruar, edhe një herë tjetër, prirjen për të jetuar në tehun e marrëzisë, për të bërë hapa prapa edhe gjatë shënimit të progresit.

Ka pasur progres, me vaksinat e shpejta kundër pandemisë Covid-19 dhe me marrëveshjet për ndryshimet klimatike, para se Putini i gjithëpushtetshëm i Rusisë e bëri mision historik të vetin që ta detyrojë Ukrainën e pavarur, të drejtuar nga Perëndimi, nën tytën e armëve, që të kthehet në orbitën e Kremlinit, siç kishte qenë në kohërat sovjetike, kur ai shërbente si oficer i inteligjencës në KGB-në e frikshme.

Me qëndrimin e vet të bashkuar kundër pushtimit, NATO-ja ka gjetur arsye të ripërtërirë për të ekzistuar. Vetëm para tre vjetëve, më 2019 - para goditjes së dyfishtë të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, që mund ta bëjnë këtë periudhë të duket si një jetë më parë – aleanca më e madhe ushtarake në botë dukej në rrezik nga fundosja e ngadalshme në prishje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte thënë se NATO-ja po përjetonte “vdekje të trurit”. Pastaj, presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump, nuk kishte shumë durim për aleancën që kishte qenë gur themeli i politikës amerikane të sigurisë për më shumë se gjysmë shekulli, duke u ankuar se Shtetet e Bashkuara po bartnin mbi supe barrë të madhe të mbrojtjes, ndërsa anëtarët e tjerë të NATO-s barrë shumë të vogël.

Tash, NATO-ja po i bën bashkë armët gjithnjë më të rënda për përdorim nga Ukraina në vijën e frontit dhe në llogoret e bombarduara në mënyrë të pamëshirshme, që ta kujtojnë në mënyrë të tmerrshme Luftën e Parë Botërore. NATO-ja i takoi shpejt Finlandën e Suedinë, kur këto shtete vendosën se vazhdimi i qëndrimit pa anë ishte shumë i rrezikshëm pas pushtimit rus dhe se ato kishin nevojë për mburojën e NATO-s kundër gjithçkaje që Putini mund të bëjë më tutje.

Bërja e tyre anëtare të NATO-s shtohet në mënyrat se si Evropa ka ndryshuar përgjithmonë, ose të paktën për të ardhmen e parashikueshme, nga lufta.

Më tutje, në Azi, valët janë rrjedhimore, gjithashtu.

Kina po e analizon me kujdes fushatën ruse për mësime ushtarake, që do të mund të zbatoheshin në ndonjë pushtim të mundshëm të ishullit vetëqeverisës të Tajvanit. India, Kina dhe shtetet e tjera aziatike të uritura për energji, po e fuqizojnë gjoksin e luftës së Kremlinit dhe po i minojnë sanksionet perëndimore duke blerë sasi në rritje të naftës ruse.

Dhe pastaj është vetë Putini. Në Ukrainë, shumë kohë para pushtimit, shumë njerëz tashmë ndienin se vendi i tyre ishte i përfshirë në një betejë për mbijetesë kundër projekteve të udhëheqësit të Kremlinit. Nga viti 2014, mijëra njerëz tashmë ishin vrarë në luftime me separatistët e përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Fytyrat e ukrainasve të vdekur nga ai konflikt shikojnë nga një mur përkujtimor në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke dhuruar dëshmi të heshtur për atë që tash, pas pushtimit, njihet si fakt në kryeqytetet perëndimore: Putinit nuk mund dhe nuk duhet t’i besohet.

Rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë dhe pothuajse gjithçkaje tjetër – duke shkaktuar dhimbje në kontinente dhe e nxitur kryesisht nga pengimi i furnizimeve nga lufta – është një ndryshim tjetër, edhe pse ndoshta më pak i përhershëm. Inflacioni i lartë, agoni e njohur në mënyrë shqetësuese për ata që kanë jetuar në tmerrin energjetik të viteve të 70-a, është kthyer si term amvisërie. Disa ekonomistë paralajmërojnë se "stagflacion”-i – kombinim helmues i inflacionit të lartë dhe i rrënimit të rritjes ekonomike – mund të bëjë dalje të re në skenë, gjithashtu.

Atëherë, çka tash e tutje?

Me fundin që nuk po i shihet luftës, ka shumë “nëse” e “por”-e për të bërë parashikim të qëndrueshëm. Por pas secilës ditë shtesë të luftimeve, shifra e viktimave dhe valëzimet e luftës në mbarë globin rriten, ndërsa paqja pakësohet.

Njerëzimi u përshtat me bombën, duke mësuar që të jetojë me të. Fluturimet e njerëzve në hapësirë u bënë rutinë. E tëra që mund të shpresojmë është që lufta në Evropë të mos bëhet e tillë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme