“Amnesty”: 44 civilët e vrarë në Gaza muajin e kaluar, dëshmi e krimeve të luftës
Organizata e njohur për të drejtat e njeriut, “Amnesty International”, ka thënë se Gjykata Ndërkombëtare Penale duhet t’i hetojë si krime lufte tri sulme ajrore izraelite që lanë të vrarë 44 civilë palestinezë, përfshirë 32 fëmijë, muajin e kaluar në Rripin e Gazës.
Sipas kësaj organizate, nga këto sulme – një në al-Maghazi më 16 prill dhe dy në qytetin Rafah më 19 e 20 prill 2024 – gjithashtu lënduan të paktën 20 civilë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Këto sulme shkatërruese kanë asgjësuar familje dhe në mënyrë mizore e kanë shkurtuar jetën e 32 fëmijëve” – tha Erika Guevara-Rosas, drejtoreshë e lartë për hulumtime, avokim, politika dhe fushata në organizatën “Amnesty International”.
“Të gjeturat tona ofrojnë dëshmi vendimtare të sulmeve të paligjshme nga ushtria izraelite, përderisa prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale paraqet kërkesë për urdhërarreste për zyrtarë të lartë izraelitë e të Hamasit, përfshirë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Përderisa ushtria izraelite vazhdon që ta eskalojë sulmin e saj tokësor në Rafah, këto raste gjithashtu e ilustrojnë nevojën urgjente për një armëpushim të menjëhershëm” – shtoi ajo.
🔴 [Nouveau] #Gaza : @amnesty international a enquêté sur 3 frappes israéliennes en avril à Rafah et Al Maghazi : 44 civils tués dont 32 enfants, et demande à la CPI de s'en saisir.
— amnestypresse (@amnestypresse) May 27, 2024
❌Il n'y avait "aucune preuve de présence de cibles militaires"https://t.co/qicnl04Rxo pic.twitter.com/FxBuBmj1M1
“Pavarësisht nga shtimi i thirrjeve për t’u dhënë fund dërgesave të armëve në Izrael, një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që urdhëron armëpushim dhe paralajmërimit të udhëheqësve botërorë kundër sulmit tokësor izraelit në Rafah, ushtria izraelite ka vazhduar që t’i eskalojë operacionet e veta, përfshirë këto sulme të paepura ndaj civilëve” – tha më tej zonja Guevara-Rosas.
“Rastet e dokumentuara këtu ilustrojnë një model të qartë të sulmeve gjatë shtatë muajve të kaluar, në të cilat ushtria izraelite e ka shpërfillur të drejtën ndërkombëtare, duke vrarë civilë palestinezë me pandëshkueshmëri të plotë dhe duke shfaqur mospërfillje për jetët njerëzore” – shtoi zyrtarja e organizatës së njohur.
Nga tetori, organizata “Amnesty International” ka kryer hulumtime të thella për 16 sulme ajrore izraelite, për të cilat thotë se kanë lënë të vrarë 370 civilë, përfshirë 159 fëmijë, dhe shton se ka gjetur dëshmi të krimeve të luftës të kryera nga forcat izraelite, përfshirë sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe ndëshkimin kolektiv të popullsisë civile. Në anën tjetër Izraeli ka mohuar se ka kryer krime lufte.