Pamje: Amerikani pranon se kishte rrëzuar një aeroplan për shikime në “YouTube”
Një përdorues amerikan i faqes së njohur për video, “YouTube”, i cili qëllimisht rrëzoi një aeroplan për klikime, do të deklarohet fajtor për pengimin e një hetimi federal përmes pastrimit të vendit të rrëzimit, thonë prokurorët në ShBA.
Trevor Jacob, 29 vjeç, e publikoi videon e rrëzimit të aeroplanit në faqen “YouTube” në dhjetorin e vitit 2021, duke lënë të kuptohej se ishte aksident. Videoja ka 2,9 milionë klikime deri më tani, raporton televizioni BBC.
Në një marrëveshje për pranimin e fajësisë, ai tha se e kishte incizuar videon si pjesë e një marrëveshjeje sponsorizimi për një produkt.
Ai mund të ballafaqohet me dënim deri në 20 vite burgim.
Piloti është pajtuar që ta pranojë fajësinë për akuzën e shkatërrimit dhe fshehjes me qëllim të pengimit të një hetimi federal, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Drejtësisë.
Në fundin e vitit 2021, i riu ishte nisur i vetëm me një aeroplan të vogël nga një aeroport në Santa Barbara të Kalifornisë dhe kishte montuar kamera në aeroplan. Përpos kamerave, ai mori edhe një parashutë dhe një shkop për të bërë fotografi “selfie”.
“Ai nuk synoi që të arrinte në destinacion, por, në vend të kësaj, planifikoi që të dilte nga aeroplani i tij gjatë fluturimit dhe ta incizonte veten duke u lëshuar me parashutë në tokë, përderisa aeroplani u lëshua dhe u përplas”- tha Zyra e Prokurorit për Distriktin Qendror të Kalifornisë.
Aeroplani u përplas në Pyllin Kombëtar “Los Padres” 35 minuta pas ngritjes në qiell. Piloti shkoi në vendin e rrëzimit dhe i mori kamerat që i kishte vendosur në aeroplan.