Amerikani e vrau kirurgun që e trajtoi, e fajësonte për dhimbje shpine pas operacionit - NACIONALE

Amerikani e vrau kirurgun që e trajtoi, e fajësonte për dhimbje shpine pas operacionit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë që qëlloi për vdekje katër persona e më pas veten në një spital në Oklahoma, pasi në të njëjtën ditë bleu një pushkë të gjatë, kishte shkuar aty për të vrarë një mjek që e fajësonte për dhimbje shpine pas operacionit, thanë të enjten autoritetet amerikane.

Reuters

I dyshuari, i identifikuar si Michael Louis, hyri në ndërtesën e kampusit spitalor “St. Francis Health System” me një armë gjysmautomatike të mërkurën dhe hapi zjarr në drejtim të secilit person që e kishte para vetes, tha komandanti i policisë në Tulsa, Wendell Franklin, në një konferencë për gazetarë. Në sulm u vranë dy mjekë, një recepsioniste dhe një pacient.

Dr. Preston Phillips, 59 vjeç, ortopedi që e trajtoi sulmuesin, u vra bashkë me Dr. Stephanie Husen, specialiste e mjekësisë sportive, raporton agjencia “Reuters”.

I dyshuari “hyri me qëllim që ta vriste dr. Phillps-in dhe këdo që i doli në rrugë”, tha komandanti policor. Autoritetet gjetën një letër të sulmuesit që bëri të qartë se sulmi ishte me cak.

Autoritetet i publikuan edhe emrat e dy të vrarëve të tjerë: Amanda Glenn, recepsioniste, dhe William Love, pacient.

Sulmuesi, për të cilin policia tha se jetonte në Muskogee të Oklahomas, rreth 80 kilometra nga Tulsa, ishte liruar nga spitali më 24 maj pas operacionit në shpinë, tha komandanti i policisë. Pas lirimit, burri e kishte telefonuar disa herë spitalin duke u ankuar për dhimbje shpine.

Ai e kishte blerë pushkën në një dyqan lokal të armëve në po të njëjtën ditë, thanë autoritetet. Sulmuesi kishte blerë gjithashtu një pistoletë tri ditë më parë.

I dyshuari e parkoi veturën në katin e dytë të garazhës që është ngjitur me ndërtesën e spitalit, hapësirë me zyra, dhoma dhe korridore.

Policët shkuan në vendin e ngjarjes vetëm tre minuta pas pranimit të thirrjes për të shtëna në spital. Ata u futën në ndërtesë dhe e ndoqën zhurmën e të shtënave në katin e dytë, më pas patën kontakt me viktimat dhe të dyshuarit pesë minuta më vonë, tha komandanti i policisë.

Oficerët policorë në vendin e ngjarjes thanë se dëgjuan një të shtënë pesë minuta më vonë. Sipas komandantit, sulmuesi e vrau veten në këtë rast. /Nacionale

Lajme të ngjashme