Amerikani e kafshon stjuardesën gjatë fluturimit, aeroplani detyrohet të kthehet në Tokio
Një pasagjer amerikan raportohet se ka kafshuar një stjuardesë gjatë një fluturimi të martën, duke e detyruar aeroplanin e kompanisë ajrore “ANA”, i nisur për në Seattle, që të kthehej në Tokio, tha një zëdhënës i kësaj kompanie.
Fluturimi “ANA 118” ishte nisur nga Aeroporti i Hanedas në Tokio në orën 21 e 47 minuta sipas kohës lokale dhe u kthye prapa pas pak më shumë se një ore, sipas uebfaqes për përcjelljen e fluturimeve, “Flightradar24”, raporton televizioni CNN.
Një zëdhënës i kompanisë “ANA” i tha televizionit CNN se pasagjeri i gjinisë mashkullore u ngalua nga policia pas aterrimit të aeroplanit në kryeqytetin japonez. Kompania nuk ia publikoi emrin pasagjerit.
Zëdhënësi shtoi se stjuardesa ka pësuar lëndime të lehta. Departamenti i Policisë Metropolitane të Tokios refuzoi që të ofronte hollësi të mëtejshme për rastin.
Ky nuk është rasti i parë i kafshimit gjatë fluturimit. Vitin e kaluar, dy pasagjerë u dënuan me gjoba të majme për godite dhe kafshim të ekuipazhit e pasagjerëve të tjerë në dy fluturime të ndryshme të kompanive ajrore amerikane, “American Airlines” e “Delta Air Lines”.
Njëri ishte dënuar me 81 mijë e 950 dollarë gjobë, ndërsa tjetri me 77 mijë e 272 dollarë. Këto ishin dy gjobat më të larta të shqiptuara ndonjëherë nga Administrata Federale e Aviacionit kundër pasagjerëve për gjeste të ndaluara në aeroplan.