Ambasadorja e ShBA-së në Ukrainë, “1.000 për qind e sigurt” se ndihma ushtarake do të vazhdojë, por s’është e sigurt kur - NACIONALE

Ambasadorja e ShBA-së në Ukrainë, “1.000 për qind e sigurt” se ndihma ushtarake do të vazhdojë, por s’është e sigurt kur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Bridget Brink, tha të martën se ajo ka besim të plotë se Kongresi do të miratojë fonde shtesë për Ukrainën, por se nuk është e mundshme që të parashikohet se kur do të ndodhë kjo.

“Unë jam 100 për qind – 1.000 për qind – e sigurt se ne do të vazhdojmë që t’ju përkrahim ju në këtë” – u tha ajo gazetarëve të martën në Kiev, raporton Radio “Evropa e Lirë” në gjuhën angleze.

Një pako kritike e ndihmave me vlerë të 61 miliardë dollarëve ka ngecur me muaj në Kongresin e ShBA-së për shkak të dallimeve politike, pavarësisht nga paralajmërimet e presidentit amerikan, Joe Biden, se dështimi i Dhomës së Përfaqësuesve, ku shumicën e ka Partia Republikane në opozitë, që ta miratojë pakon do të shkonte në dobi të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Kjo është çështje shumë politike që unë nuk mund ta parashikoj, por mund të them se ne të gjithë i paraqesim argumentet më bindëse pse kjo është e nevojshme, pse kjo nuk është kërkesë me fund të hapur, pse kjo është vërtet e rëndësishme për ju që të arrini sukses, jo vetëm në fushën e betejës, por edhe për të pasur siguri e pavarësi ekonomike” – tha ambasadorja Brink.

Ajo shtoi se kishte biseduar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, anëtar i Partisë Republikane, dhe e di që ai e përkrah Ukrainën dhe “e kupton rëndësinë e humbjes së kësaj lufte nga Rusia”.

Më tej, emisarja amerikane në Kiev tha se Bideni dhe të gjithë diplomatët e ShBA-së që po punojnë për këtë çështje po bëjnë shtytje të forta për ta çuar atë përpara sa më shpejt që është e mundshme.

“Porosia ime është kjo: Ju nuk mund të humbni kohë, nuk mund të humbni asnjë ditë të vetme, as një orë të vetme, asnjë sekondë të vetme. Njerëzit vdesin këtu çdo ditë” – tha ambasadorja, duke iu referuar komenteve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fundjavës në Konferencën e Mynihut për Siguri për mungesën e armëve dhe tërheqjen e forcave ukrainase nga qyteti Avdivka.

Në një video-adresim të hënën në mbrëmje, Zelensky tha se vonesat në dërgimin e armëve i kanë bërë luftimet “shumë të vështira” përgjatë disa pjesëve të vijës së frontit dhe se forcat ruse po synojnë që t’i shfrytëzojnë këto vonesa në dërgimin e armëve.

Të martën, Putini e përgëzoi ministrin e Mbrojtjes të Rusisë, Sergei Shoigu, për kapjen e Avdivkës dhe e nxiti që ta vazhdojë përparimin e forcave ruse.

Lajme të ngjashme