Ambasadori i Iranit në Liban plagoset nga shpërthimet e pajisjeve të dorës
Nëntë persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë pas shpërthimit të pajisjeve të dorës për komunikim, që përdoreshin nga anëtarët e Hezbollahut për të komunikuar, tha ministri i Shëndetësisë i Libanit.
Ambasadori i Iranit në Liban ishte në mesin e 2.800 personave të tjerë që u plagosën nga shpërthimet në Bejrut dhe në disa rajone të tjera, raporton televizioni BBC.
Hezbollahu, që përkrahet nga Irani, tha se pajisjet u përkisnin “punëtorëve të ndryshëm të njësiteve dhe institucioneve të Hezbollahut” dhe e konfirmoi vdekjen e tetë luftëtarëve.
Grupi e fajësoi Izraelin për atë që e quajti “agresion kriminal” dhe u zotua se do të nxirrte “hakmarrje të drejtë”. Ushtria izraelite refuzoi që të komentonte.
Disa orë para shpërthimeve, kabineti i sigurisë i Izraelit tha se ndalja e sulmeve të Hezbollahut ndaj pjesës veriore të vendit për ta lejuar kthimin e sigurt të banorëve të zhvendosur është qëllim zyrtar i luftës.
Në deklaratën e fundit të mërkurën, Hezbollahu tha se do t’i vazhdonte “operacionet në mbështetje të Gazës”, duke shtuar se kjo ishte “rrugë e vazhdueshme, e ndarë nga çmimi i lartë që e pret armikun si kundërpërgjigje ndaj masakrës së tij të martën”.
Një zëdhënës i OKB-së tha se zhvillimet e fundit në Liban janë “tepër shqetësuese, sidomos duke marrë parasysh që kjo po ndodh brenda një konteksti që është tepër i paqëndrueshëm”.
Shumë libanezë ishin në gjendje shoku dhe mosbesimi të martën në mbrëmje, pa arritur që të kuptonin një ngjarje që ishte e pashembullt sa i përket nivelit dhe natyrës së saj.
Hezbollahu tha se një numër i pasaktësuar i pajisjeve, në të cilat grupi mbështetet shumë për komunikim për shkak të rrezikut që telefonat mobilë të përgjohen, shpërthyen rreth orës 15:30 sipas kohës lokale në kryeqytetin Bejrut dhe në shumë zona të tjera.
Në pamje të siguruara nga një kamerë e sigurisë shihet një shpërthim në çantën ose xhepin e një burri në një treg. Ai shihet duke u rrëzuar në tokë dhe duke bërtitur nga dhimbja, përderisa njerëzit e tjerë ikin./Nacionale
Man carrying pager to shopping and it exploded💥 pic.twitter.com/UErIzCoClg
— Tactical Errors (@TacticalErrorsM) September 17, 2024