Aliyevi e qorton Blinkenin në telefon për shkak të përkrahjes për Armeninë
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, i tha të hënën përmes një telefonate kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, se veprimet e fundit të ShBA-së në përkrahje të Armenisë i rrezikojnë lidhjet Uashington – Baku, thanë të martën autoritetet azere.
Dy shtetet kishin pasur marrëdhënie relativisht të ngrohta deri në shtator, kur Azerbajxhani e rimori nën kontroll rajonin me popullsi kryesisht armene, Nagorno-Karabak, përmes një ofensive të shpejtë, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara i ofruan përkrahje diplomatike Armenisë, e cila i kishte mbështetur autoritetet separatiste të Nagorno-Karabakut, dhe disa zyrtarë amerikanë e vizituan Jerevanin disa ditë pas ofensivës azere.
Përmes një deklarate, zyra e Aliyevit tha se ai i kishte thënë Blinkenit se “deklaratat dhe veprimet e fundit të ndërmarra nga ShBA-ja i kanë dëmtuar seriozisht marrëdhëniet Azerbajxhan – ShBA”.
Në deklaratë shtohet se Bakuja ka marrë shënime nga komentet e asistentit të sekretarit të Shtetit, James O’Brien, gjatë një seance të Kongresit të ShBA-së, se “nuk ka gjasa për vazhdim të rëndomtë të punës” me Azerbajxhanin pas ofensivës në Karabak.
Megjithatë, zyra e presidentit azer tha se Aliyevi dhe Blinkeni ishin pajtuar, në interes të normalizimit të marrëdhënieve, që O’Brien-i ta vizitojë Bakunë dhe se Uashingtoni do ta largojë vendimin për ndalimin e vizitave të zyrtarëve të lartë azerë në ShBA.
Fitorja ushtarake e Azerbajxhanit në Karabak e nxiti largimin masiv të pothuajse tërë popullsisë prej 120 mijë armenësh etnikë nga kjo enklavë. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore janë zotuar për t’i ofruar ndihmë Armenisë për t’u ballafaquar me numrin e madh të të ardhurve.
Armenia, aleate tradicionale e Rusisë, muajve të fundit është munduar që ta distancojë veten nga Moska dhe ka kërkuar lidhje më të ngushta me Perëndimin.

