Aleatët lindorë të NATO-s thonë se trupat e “Wagner”-it në Bjellorusi sjellin telashe
Vendet lindore të NATO-s paralajmëruan të martën se vendosja e trupave të grupit “Wagner” në Bjellorusi do të krijojë jostabilitet më të madh rajonal, por sekretari i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se NATO-ja është e gatshme për ta mbrojtur veten kundër çfarëdo rreziku.
“Nëse Wagner-i i dislokon vrasësit e tij serikë në Bjellorusi, të gjitha vendet fqinje ballafaqohen me rrezik edhe më të madh të jostabilitetit”- tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, pas një takimi në Hagë me Stoltenbergun dhe me udhëheqësit e gjashtë shteteve të tjera të aleancës, raporton agjencia “Reuters”.
“Kjo është vërtet serioze dhe shqetësuese dhe ne duhet të marrim vendime shumë të fuqishme. Kjo kërkon një përgjigje shumë, shumë të fortë të NATO-s”- tha presidenti polak, Andrzej Duda.
Shefi i grupit famëkeq, Yevgeny Prigozhin, arriti në Bjellorusi të martën sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti i këtij shtetit, Aleksander Lukashenko, me të cilën iu dha fund kryengritjes së mercenarëve në Rusi të shtunën.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se luftëtarëve të grupit “Wagner” do t’u ofrohet mundësia për të shkuar në Bjellorusi.
Sekretari i NATO-s tha se është shumë herët për të thënë se çfarë do të mund të nënkuptonte kjo për aleatët dhe e theksoi rritjen e mbrojtjes së pjesës lindore të aleancës viteve të fundit.
“Ne u kemi dërguar një porosi shumë të qartë Moskës dhe Minskut se NATO-ja është aty për ta mbrojtur secilin aleat, secilin centimetër të territorit të NATO-s”- tha Stoltenbergu.
“Ne tashmë e kemi rritur praninë tonë ushtarake në pjesën lindore të aleancës dhe do të marrim vendime të mëtejme për ta fuqizuar më tej mbrojtjen tonë kolektive me forca me gatishmëri më të lartë dhe me më shumë aftësi në samitin e ardhshëm”- shtoi ai.
Sipas Stoltenbergut, kryengritja ka treguar se “lufta ilegale” e Putinit kundër Ukrainës i ka thelluar përçarjet në Rusi.
“Në të njëjtën kohë, ne nuk duhet ta nënvlerësojmë Rusinë, prandaj është edhe më e rëndësishme që të vazhdojmë t’ia ofrojmë Ukrainës përkrahjen tonë”- shtoi ai.
