"Aleatë të besueshëm; bashkëpunues": Macroni e kryeministri i ri kanadez e thumbojnë tërthorazi Trumpin në Paris
Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, tha se është e rëndësishme për vendin e tij që t’i forcojë lidhjet me “aleatë të besueshëm” në Evropë, përderisa të hënën u takua me presidentin francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit në kohën e tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i Carney-t për ta vizituar Parisin në vend të Uashingtonit, siç është e zakonshme për udhëheqësit kanadezë, vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i eskaloi tensionet tregtare me Kanadanë e Evropën, dhe bëri kërcënime se do ta aneksonte shtetin fqinj, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Është më e rëndësishme se kurrë më parë për Kanadanë që t’i forcojë lidhjet e saj me aleatë të besueshëm si Franca” – tha Carney, para një dreke pune me Macronin në Pallatin “Elize”, duke theksuar se vendi i tij është “shteti më evropian nga shtetet jo-evropiane”.
Kryeministri kanadez do ta vizitojë edhe Londrën më vonë të hënën.
Në një referencë të tërthortë ndaj Trumpit, Macroni tha se Kanadaja është një shembull i mirë i një shteti që i mbron interesat e veta kombëtare, ndërkohë duke qenë bashkëpunuese në skenën globale.
“Mendoj se ne të dy besojmë se tregtia e drejtë, e cila i respekton rregullat ndërkombëtare, është e mirë për mirëqenien e të gjithëve dhe qartazi është më efikase se taksat” – tha presidenti francez.
Përderisa dy udhëheqësit po largoheshin, një gazetar kanadez në sallë pyeti nëse ata duan t’i thonë Trumpit që “të tërhiqet”, por as kryeministri kanadez, as Macroni nuk pranuan pyetje nga mediat.
Presidenti amerikan i ka shokuar aleatët perëndimorë përmes vendosjes së taksave ndaj eksporteve të tyre, duke i vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale, dhe madje duke kërcënuar me aneksimin e Kanadasë dhe të Grenlandës, territor danez, që nga rikthimi në pushtet në janar./Nacionale