Alarmohet Italia: Gati 40 për qind e adoleshentëve e kanë provuar drogën - NACIONALE

Alarmohet Italia: Gati 40 për qind e adoleshentëve e kanë provuar drogën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gati 960 mijë italianë të moshës 15 deri 19-vjeçare, ose 39 për qind e tyre, kanë konsumuar substanca ilegale të paktën një herë, sipas një raporti vjetor qeveritar që u paraqit të martën në Kuvend, përderisa abuzimi me drogë u kthye në nivelin që ishte para pandemisë.

Italia, bazë e grupeve të fuqishme mafioze që kanë fituar miliarda euro përmes trafikimit të drogës, regjistroi rreth 54 mijë të rinj që kishin përdorur kokainë më 2023, ndërsa rreth 550 mijë thanë se kishin përdorur prodhime të lidhura me kanabisin të paktën një herë, raporton agjencia “Reuters”.

Alfredo Mantovano, nënsekretar qeveritar në administratën djathtiste të kryeministres Giorgia Meloni, tha në një konferencë për gazetarë se substancat ilegale po përhapen si “pandemi” në Itali dhe se ka pak ndërgjegjësim për rrezikun.

Qeveria tha se drogë me vlerë të rreth 16,4 miliardë eurove u ble në Itali më 2022, kryesisht derivate të kokainës dhe kanabisit, dukshëm më shumë se 15,5 miliardë eurot e shpenzuara më 2021 dhe afër nivelit para se pandemia e koronavirusit ta shkaktonte zvogëlimin e konsumit.

Autoritetet e përmendën nevojën për ngritjen e vetëdijes rreth rrezikut të përdorimit të fentanilit, drogë vdekjeprurëse që nuk është përhapur ende gjerësisht në Itali, por që është bërë shkaktar kryesor i mbidozës në Shtete të Bashkuara.

“Fentanili gjithashtu po hyn në Itali, fatkeqësisht” – tha ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio.

Edhe veprimet e policisë kundër drogës janë shtuar në Itali. Autoritetet e rendit konfiskuan gati 89 tonë substanca narkotike më 2023, 17 për qind më shumë se më 2022, ndërsa rreth 27 mijë e 700 persona u raportuan për shkelje të lidhura me drogën, tha Qeveria.

Lajme të ngjashme