Al-Golani zotohet për ndëshkimin e të gjithëve që kanë torturuar e vrarë të burgosur
Komandanti kryesor i rebelëve që e kanë rrëzuar nga pushteti tashmë ish-presidentin sirian, Bashar al-Assad, tha të mërkurën se kushdo që është i përfshirë në torturimin ose vrasjen e personave të burgosur gjatë sundimit të Assadit do të ndiqet dhe falja e këtyre shkeljeve nuk do të vijë në shprehje.
“Ne do t’i ndjekim ata në Siri dhe kërkojmë nga shtetet që t’i dorëzojnë ata që ikën në mënyrë që të mund ta arrijmë drejtësinë” – tha Abu Mohammed al-Golani në një deklaratë të publikuar në kanalin e televizionit shtetëror sirian në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Bota është duke vëzhguar me kujdes për të marrë vesh nëse pushtetarët e rinj të Sirisë do të mund ta stabilizojnë vendin pas një lufte civile 13-vjeçare, e cila e ka shkatërruar shtetin gjatë luftimeve nëpër vija sektare e etnike.
Golani, grupi i të cilit tani është forca më e madhe në vend, duhet t’i baraspeshojë kërkesat për drejtësi për viktimat me nevojën për ta parandaluar dhunën dhe për të siguruar ndihma ndërkombëtare.
Kryeministri i ri i përkohshëm, Mohammed al-Bashir, tha se ai synon që të kthejë në vend miliona refugjatë sirianë, të krijojë unitet dhe të ofrojë shërbime themelore, por se procesi i rindërtimit do të jetë i vështirë.
“Në arka ka vetëm funte siriane me vlerë të vogël ose fare. Një dollar amerikan blen 35 mijë monedha tona. Nuk kemi valutë të huaj dhe sa u përket huave dhe letrave me vlerë, ende jemi duke mbledhur të dhëna. Pra, po, financiarisht jemi shumë keq” – shtoi ai.
Rindërtimi i Sirisë është detyrë e vështirë pas një lufte civile që ka lënë qindra mijëra të vrarë, ndërsa qytetet janë bombarduar deri në rrënoja dhe pjesë të mëdha rurale janë shpopulluar. Ekonomia është goditur nga sanksionet ndërkombëtare. Miliona refugjatë ende jetojnë në kampe pas njërës prej shpërnguljeve më të mëdha në kohët moderne.