Akuza e Rusisë se Serbia po dërgon armë në Ukrainë, reagon Vuçiqi - NACIONALE

Akuza e Rusisë se Serbia po dërgon armë në Ukrainë, reagon Vuçiqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij dhe Rusia do të zhvillojnë një hetim së bashku për të zbuluar se si armë të prodhimit serb kanë arritur në Ukrainë, pasi Moska e akuzoi Beogradin për eksportim të armëve te qeveria ukrainase.

Shërbimi rus për inteligjencë të jashtme, SVR, e akuzoi Serbinë për “thikë pas shpinës”, duke pretenduar se prodhues serbë të armëve po shesin municion dhe armë në Ukrainë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ato (shitjet e armëve) kanë një qëllim të qartë – që të vrasin dhe të gjymtojnë personel ushtarak rus dhe popullsinë civile” – tha SVR-ja në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e vet të enjten.

Inteligjenca e jashtme ruse tha se Serbia dërgon armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve të NATO-s, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Bullgarinë, si dhe disa shtete afrikane.

Vuçiqi i tha televizionit shtetëror serb, RTS, se e diskutoi eksportimin e armëve serbe në Ukrainë me homologun rus, Vladimir Putin, kur serbi e vizitoi Moskën më 9 maj, dhe i mohoi disa nga akuzat e SVR-së.

“Ne kemi themeluar një grup punues, bashkë me partner rusë, për t’i përcaktuar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta” – tha Vuçiqi në RTS të enjten vonë.

Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia në vitin 2023 ishte pajtua që ta furnizonte Ukrainën me armë, pavarësisht nga neutraliteti i deklaruar ushtarak i Beogradit. Moska e ka kritikuar disa herë Serbinë për këtë çështje.

“Fabrikat tona duhet të jetojnë e të punojnë. Rreth 24.000 njerëz punojnë drejtpërdrejt në industrinë e mbrojtjes” – tha presidenti serb.

Edhe pse Beogradi ka refuzuar që të bëhet pjesë e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, Serbia i ka dënuar politikat e Moskës në OKB dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë territoret që janë nën kontrollin e forcave ruse.

Vuçiqi është takuar me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, të paktën tri herë./Nacionale

Lajme të ngjashme