Aksident i rëndë mes autobusit e kamionit në Egjipt, 17 të vdekur - NACIONALE

Aksident i rëndë mes autobusit e kamionit në Egjipt, 17 të vdekur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtatëmbëdhjetë persona vdiqën dhe 29 të tjerë u lënduan, pasi një autobus publik dhe një kamion u përplasën në një autostradë në shkretëtirë në jugperëndim të Egjiptit, tha të enjten Ministria e Shëndetësisë.

Aksidenti ndodhi të mërkurën në autostradën Assuit – Kharga, rreth 400 kilometra në jugperëndim të Kairos, në provincën Lugina e Re, e cila ka kufi të gjatë me Libinë, thanë burimet mjekësore dhe të sigurisë, raporton agjencia “Reuters”.

Njëzet e gjashtë autoambulanca u dërguan në vendin e ngjarjes për t’i çuar të lënduarit në spitale, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nuk qe menjëherë e qartë se si ka ndodhur aksidenti i rëndë.

Vozitja e pakujdesshme, moszbatimi i rregullave të trafikut dhe kushtet e dobëta në rrugë shkaktojnë shumë aksidente komunikacioni në Egjipt.

Sipas një raporti të agjencisë egjiptiane të statistikave, 7 mijë e 101 njerëz kanë vdekur nga aksidentet rrugore në Egjipt në vitin 2021, 15,2 për qind më shumë se në vitin 2020.

Lajme të ngjashme