Agjencitë britanike akuzohen për dhënie informatash që çuan në torturim - NACIONALE

Agjencitë britanike akuzohen për dhënie informatash që çuan në torturim

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Agjencitë britanike të inteligjencës po akuzohen se u kanë dhënë informata autoriteteve indiane për një shtetas britanik para se ai të rrëmbehej dhe pretendohet se është torturuar nga policia në Punjab.

Jagtar Singh Johal, nga qyteza skoceze, Dumbarton, ndodhej në Indi më 2017, kur familja e tij thotë se u detyrua që të futej në një veturë civile.

Ai thotë se më pas është torturuar në mënyra të ndryshme, përfshirë torturimin me elektro-shok. Johal-i mbetet në ndalim që nga ajo kohë.

Disa kryeministra britanikë e kanë ngritur çështjen e tij, por qeveria indiane ka mohuar se ka kryer tortura ose keqtrajtime.

Britaniku ishte aktivist për të drejtat njerëzore të komunitetit Sikh, rol që besohet se ia ka shkaktuar ndalimin nga autoritetet indiane, shkruan BBC, përcjell gazeta Nacionale.

Në maj, ndaj tij u ngritën zyrtarisht akuzat për planifikim të vrasjes dhe për të qenët anëtar i një bande terroriste. Muajin e ardhshëm, ndaj tij do të paraqitet lista e plotë e akuzave dhe mund të ballafaqohet me dënimin me vdekje.

Autoritetet indiane thonë se akuzat janë të lidhura me nacionalizmin Sikh, ndonëse britaniku mohon se ka bërë ndonjë shkelje.

Grupi për të drejtat e njeriut, “Reprieve”, ia ka treguar BBC-së dokumentet për të cilat thotë se janë dëshmi bindëse që arrestimi i tij ka ardhur pas informatave të inteligjencës britanike.

Ky grup thotë se ka lidhur disa hollësi të rastit të këtij shtetasi me një pretendim specifik të keqtrajtimit të dokumentuar në një raport të agjencisë që i mbikëqyr agjencitë e inteligjencës.

“Në rrjedhën e hetimeve, MI5 i dha të dhëna të inteligjencës një partneri ndërlidhës përmes Shërbimit Sekret të Inteligjencës (MI6)”, thuhet në raportin e Zyrës së Komisionarit për Kompetenca Hetimore.

“Subjekti i inteligjencës është arrestuar nga partneri ndërlidhës në vendin e tyre. Individi i ka thënë Zyrtarit Këshillues Britanik se është torturuar”, thuhet më tej në raport.

Shtetasi Johal nuk përmendet në raport, por hulumtuesit e grupit “Reprieve” janë të bindur se faktet lidhen me rastin e tij për shkak të datave, lobimit nga kryeministrat britanikë dhe dëshmive mbështetëse, të paraqitura në hollësi në shtypin indian.

Johal-i tash për tash po mbahet në një burg në New Delhi. Ai ka pretenduar se, pas arrestimit, është mbajtur i izoluar nga bota e jashtme, është marrë në pyetje në mënyrë brutale për orë të tëra dhe fillimisht i është mohuar qasja në avokat ose zyrtarë këshillues britanikë.

Ai thotë se është detyruar që të nënshkruajë letra boshe, të cilat më vonë janë përdorur kundër tij si rrëfime të rreme.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se e ka ngritur çështjen e aktivistit me homologun indian, Narendra Modi, gjatë vizitës së tij në Indi në prill të këtij viti. Çështjen e tij e kishte ngritur edhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May./Nacionale

Lajme të ngjashme