Agjencia e OKB-së për refugjatët, e shpërblen Merkelin për pritjen e sirianëve
Agjencia e OKB-së për refugjatët tha të martën se po i jep çmimin më të lartë ish-kancelares gjermane Angela Merkel për përpjekjet e saj për të mirëpritur më shumë se 1 milion refugjatë në Gjermani – kryesisht nga Siria, pavarësisht disa kritikave brenda dhe jashtë vendit.
Matthew Saltmarsh, zëdhënës i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, tha se Merkel ishte përzgjedhur për çmimin Nansen, i cili ndahet çdo vit nga agjencia e OKB-së me bazë në Gjenevë.
“Nën udhëheqjen e atëhershme të kancelares federale Merkel, Gjermania mirëpriti më shumë se 1.2 milionë refugjatë dhe azilkërkues në 2015 dhe 2016, që, siç do ta mbani mend, ishte kulmi i konfliktit në Siri dhe kishte dhunë vdekjeprurëse në pjesë të tjera të botës”, u tha Saltmarsh gazetarëve, duke shtuar se, “dr. Merkel ndihmoi për të nxjerrë në pah gjendjen e refugjatëve në mbarë botën.”
Vendimi i Merkelit për të lejuar aq shumë emigrantë nxiti partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë dhe rezultoi në protesta nga një pakicë e zëshme. Ajo u kritikua gjithashtu nga disa qeveri se ishte shumë miqësore me refugjatët, kur disa shtete partnere të Bashkimit Evropian po mbyllnin kufijtë për refugjatët dhe azilkërkuesit.
Çmimi i dhënë për Merkel, ka vlerë prej 150,000 dollarësh, ndërsa u bë e ditur se Merkel do të udhëtojë për në Gjenevë javën e ardhshme për ta pranuar çmimin.
Çmimi i UNHCR-së për Refugjatët Nansen nderon individë, grupe ose organizata që shkojnë "mbi dhe përtej thirrjes së detyrës" për të mbrojtur refugjatët dhe njerëzit e tjerë të zhvendosur dhe pa shtetësi, tha agjencia.
Që nga themelimi në 1954, këtë çmim e kanë marrë më shumë se 60 laureatë,në nder të Fridtjof Nansen, një shkencëtar, eksplorues dhe diplomat norvegjez, i cili ishte komisioneri i parë për refugjatët në Lidhjen e Kombeve - paraardhësi i Kombeve të Bashkuara.
Fitues i çmimit në vitin 2021 ishte Shoqata Jeel Albena për Zhvillimin Humanitar në Jemen, për mbështetjen e saj për jemenasit e zhvendosur.
