Agjencia e mbrojtjes e BE-së: Evropa nuk mund të mbështetet vetëm në ShBA-në si mburojë - NACIONALE

Agjencia e mbrojtjes e BE-së: Evropa nuk mund të mbështetet vetëm në ShBA-në si mburojë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkimit Evropian duhet të blejnë armë së bashku për t’i rimbushur rezervat pas furnizimit të Ukrainës, tha agjencia e mbrojtjes e BE-së, duke paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mbrojnë gjithmonë Evropën nga rreziqet.

“Lufta ruse e agresionit kundër Ukrainës i dëshmon mungesat tona të kapacitetit”- tha Jiri Sedivy, shef ekzekutiv i Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, organ që u jep ndihmë qeverive të vendeve të BE-së për t’i zhvilluar kapacitetet e tyre ushtarake.

Ky zyrtar tha se agjencia është në bisedime me kompani evropiane të armëve për shtimin e prodhimit si dhe me shtetet për t’u bërë bashkë e për të blerë pajisje e municion, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Ajo që është me rëndësi, është që ne do të mundnim, Bashkimi Evropian, të bëheshim ofrues i besueshëm i sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve”- tha Sedivy, duke u bërë thirrje shteteve që t’i marrin parasysh thirrjet e Shteteve të Bashkuara për të investuar në mbrojtje.

“Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në mënyrë të pashmangshme në Azi e Paqësor dhe nuk do të mund të ofrojnë disa nga mundësuesit thelbësorë, si transporti strategjik ajror, aeroplanët për zbulim, raketat me drejtim preciz e mbrojtjet ajrore”- tha zyrtari evropian.

Ai i përmendi edhe kërcënimin nga terrorizmi dhe shtetet e dështuara në Lindjen e Mesme ose në Afrikën Veriore.

Evropa ka pasur qasje të përçarë ndaj mbrojtjes. Shtetet i kanë furnizuar ushtritë e tyre kryesisht vetë, duke krijuar armatim lara-lara me armë e pajisje që nuk përshtaten me njëra-tjetrën.

Lufta në Ukrainë e ka vënë rajonin para sfidës më të madhe në një gjeneratë, duke shpërfaqur përçarje të thella për mënyrën se si të trajtohet Rusia.

Shpenzimet evropiane në fushën e mbrojtjes shkuan për herë të parë në 200 miliardë euro vitin e kaluar, duke shënuar rritje prej 6 për qind në krahasim me vitin paraprak. Kjo është rritja më e madhe që nga koha kur rajoni e filloi shtimin e shpenzimeve ushtarake më 2015 pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga Rusia.

Sipas një raporti të Parlamentit Evropian të vitit 2020, pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara, BE-ja do të kishte vështirësi për ta mbrojtur veten, ka mungesë të të dhënave të inteligjencës, aeroplanë për zbulim, sisteme mbrojtëse raketore me rreze të mesme veprimi, anije ujë-tokë dhe nëndetëse.

Lajme të ngjashme