Afganistani nënshkruan marrëveshje për nxjerrjen e naftës me një kompani kineze
Administrata afgane e talibanëve ka nënshkruar një kontratë me një kompani kineze për nxjerrjen e naftës në basenin “Amu Darya” dhe për zhvillimin e një rezerve nafte në provincën veriore afgane, Sar-e Pul.
Kontrata u nënshkrua të enjten nga ministri në detyrë i Minierave dhe Naftës, Sheikh Shahabuddin Delawar, dhe një zyrtar i kompanisë CAPEIC në një ceremoni të mbajtur në kryeqytetin Kabul.
Kjo është marrëveshja e parë e rëndësishme për nxjerrjen e materialit që administrata e talibanëve ka nënshkruar me një kompani të huaj që nga ardhja në pushtet më 2021.
Zëvendëskryeministri në detyrë, Mullah Abdul Ghani Baradar, dhe ambasadori kinez në Afganistan, Wang Yu, gjithashtu ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, “Bakhtar”.
“Rishtazi, disa projekte janë miratuar nga Komisioni Ekonomik dhe me ndërmarrjen e tyre, hapa themelorë do të bëhen për mirëqenien e vendit dhe për mirëqenien publike”- citohet të ketë thënë Baradar-i.
“Ne kërkojmë që kompania ta vazhdojë procedurën në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në interesin më të mirë të popullit të Sar-e Pul-it”- shtoi ai.
Duke folur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Delawar tha se, sipas paktit, kompania kineze do të nxjerrë naftë nga një sipërfaqe prej 4 mijë e 500 kilometrash katrorë gjithsej në provincat Sar-e Pul, Jawzjan dhe Faryab.
“Më shumë se 3 mijë njerëz lokalë do të punësohen në këtë projekt”- tha ai.
Ambasadori kinez tha se kjo marrëveshje është e rëndësishme për rritjen ekonomike të vendit të rrënuar nga lufta dhe një hap pozitiv drejt marrëdhënieve të ngushta mes Kabulit e Pekinit.
Kompania CAPEIC do të investojë nga 150 milionë dollarë në vit në Afganistan, sipas kësaj kontrate, tha zëdhënësi i qeverisë afgane, Zabihullah Mujahid. Ai shtoi se investimet e kompanisë do të shkojnë në 540 milionë në tre vjet për kontratën 25-vjeçare.
Qeveria e talibanëve do të ketë partneritet prej 20 për qind në këtë projekt, ndërsa kjo përqindje mund të shkojë deri në 75 për qind, shtoi zyrtari afgan.

