Afganistani e akuzon Pakistanin për “shkeljen e territorit sovran të Kabulit” - NACIONALE

Afganistani e akuzon Pakistanin për “shkeljen e territorit sovran të Kabulit”

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e talibanëve në Afganistan e ka akuzuar Pakistanin për shkeljen e “territorit sovran” të Kabulit, duke e përshkruar këtë veprim si “akt të pashembullt, të dhunshëm dhe provokues”.

Kjo akuzë vjen pasi dy shpërthime të forta u dëgjuan në qytet të enjten vonë, raporton televizioni BBC.

Pakistani gjithashtu kishte bombarduar një treg civil në provincën kufitare Patika, në juglindje të Afganistanit, tha të premten në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit. Banorët lokalë i thanë shërbimit të BBC-së në gjuhën afgane se një numër i dyqaneve ishin shkatërruar.

Pakistani as nuk ka konfirmuar, as nuk ka mohuar se ka kryer një sulm brenda Afganistanit.

Megjithatë, gjatë një konference për gazetarë të mbajtur të premten në qytetin Peshawar, një gjeneral i lartë pakistanez pretendoi se Afganistani po përdoret si “bazë operimi për terrorizëm kundër Pakistanit”.

“Për t’i ruajtur jetët dhe pronat pakistaneze, ato masa që duhet të merren do të merren” shtoi Gjeneral Ahmed Sharif Chaudhry.

Pakistani për një kohë të gjatë i ka akuzuar talibanët afganë se i lejojnë talibanët pakistanezë, të njohur edhe si TTP, që të operojnë nga territori afgan. Qeveria talibane gjithmonë e ka mohuar këtë./Nacionale

Lajme të ngjashme