AfD-ja gjermane kërkon përfshirje në bisedime për koalicione pas suksesit në zgjedhje - NACIONALE

AfD-ja gjermane kërkon përfshirje në bisedime për koalicione pas suksesit në zgjedhje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësit e partisë së të djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD), kanë kërkuar që grupi i tyre politik të përfshihet në bisedimet për formimin e koalicioneve në dy shtete gjermane ku e ka fituar gati një të tretën e votave në zgjedhjet e së dielës. Rezultatet e kanë trazuar peizazhin politik në ekonominë më të madhe të Evropës një vit para zgjedhjeve të përgjithshme.

Edhe pse “tërmeti” politik nga zgjedhjet në pjesën lindore të Gjermanisë ishte parashikuar para një kohe të gjatë, partitë e qendrës në koalicionin qeveritar qendror dolën të ishin të paafta për ta parandaluar rritjen e AfD-së, e cila doli e para në Turingi me gati 33 për qind të votave, ndërsa e dyta, afër të parës, në Saksoni me gati 31 për qind të votave, raporton gazeta “The Guardian”.

Në Turingi, një qeveri e pakicës, e përbërë nga CDU-ja, BSW-ja dhe socialdemorkatët, duket më e mundshmja, duke nxitur kundërshtim nga e djathta ekstreme. “Votuesi dëshiron që AfD-ja të marrë pjesë në qeveri” – këmbënguli bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel.

Kandidati udhëheqës i AfD-së në Turingi, Bjorn Hocke, i cili në mënyrë të përsëritur ka përdorur retorikë naziste në tubimet e tij dhe e ka vënë në pikëpyetje keqardhjen e Gjermanisë për Holokaustin, gjithashtu pati ankesa. “Nëse dëshironi stabilitet në Turingi, duhet ta integroni AfD-në. Çfarëdo plejade në të cilën nuk përfshihet AfD-ja nuk do t’i bëjë asnjë dobi këtij shteti” – tha ai.

Ndërkohë, analistët thonë se partia populiste e së majtës, BSW, pritet që ta kalojë pragun prej 5 për qind në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm, duke e bërë potencialisht edhe më të vështirë formimin e një koalicioni qeveritar për partitë tradicionale, CDU dhe SPD.

BSW-ja, që bën thirrje për taksa më të larta ndaj më të pasurve, kufizime ndaj imigrantëve dhe përfundim të ndihmës ushtarake për Ukrainën, mori gati 16 për qind të votave në Turingi dhe gati 12 për qind në Saksoni.

Rezultatet e zgjedhjeve i nënvizuan dallimet e vazhdueshme kulturore mes lindjes dhe perëndimit të Gjermanisë 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Shumë votues në rajonin ish-komunist duket se i pranojnë thirrjet anti-perëndimore e pro-ruse./Nacionale

Lajme të ngjashme