AfD-ja e së djathtës ekstreme mohon se e mbështet dëbimin e gjermanëve “të paasimiluar” - NACIONALE

AfD-ja e së djathtës ekstreme mohon se e mbështet dëbimin e gjermanëve “të paasimiluar”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia opozitare e së djathtës ekstreme në Gjermani, AfD, tha të martën se nuk ka plane për ta zbatuar dëbimin e imigrantëve “të paasimiluar” me pasaporta, nëse vjen në pushtet, pasi portali hulumtues “Correctiv” tha se kjo temë ishte diskutuar në një takim.

Portali “Correctiv” raportoi se Roland Hartwig, asistent personal i kryetares së AfD-së, Alice Weidel, dhe Ulrich Siegmund, udhëheqës i partisë në shtetin Sachsen-Anhalt, u takuan në fund të vitit të kaluar me figura me ndikim të neo-nazistëve dhe me biznesmenë të pasur në një hotel afër Berlinit, raporton agjencia “Reuters”.

Në takim, Martin Sellner, udhëheqës austriak i Lëvizjes Identitare me qëndrime të së djathtës ekstreme, kishte propozuar një projekt të “rimigrimit”, sipas të cilit disa imigrantë do të mund të detyroheshin që të largoheshin nga Gjermania, edhe nëse ata e kanë shtetësinë.

Raportohet se në takim ishte diskutuar edhe ideja që të dëbuarit të dërgoheshin në një “shtet model” Afrikë të Veriut, sipas portalit “Correctiv”, i cili u mbështet në pamje të kamerave të fshehura, pjesëmarrës në takim dhe reporterë që e kishin përcjellë hotelin.

AfD-ja konfirmoi se Harwig-u ishte i pranishëm në takim, por tha se propozimet e raportuara nuk janë politikë e partisë. Siegmund-i nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

“AfD-ja nuk do ta ndryshojë pozicionin e vet për politikën rreth migrimit për shkak të një mendimi të vetëm në një takim që s’ishte i AfD-së”- i tha partia agjencisë “Reuters”.

Sellner-i konfirmoi se ishte në takim, por mohoi se kishte propozuar ndonjë gjë të paligjshme. “Unë bëra shumë të qartë se nuk mund të bëhen dallime mes qytetarëve – se nuk mund të ketë qytetarë të klasës së dytë – dhe se të gjitha masat e rimigrimit duhet të jenë të ligjshme”- i tha ai agjencisë “Reuters”.

“Qytearët e paasimiluar si islamistët, banditët e mashtruesit e mirëqenies duhet të shtyhen për t’u përshtatur përmes një politike të standardeve dhe asimilimit”- shtoi ai, duke thënë se këtu mund të përfshihen masa nxitëse për kthim vullnetar në atdhe.

Lajme të ngjashme