Sulmohet me armë në Sudan aeroplani turk i evakuimit
Një aeroplan turk për evakuim është sulmuar me armë gjatë aterrimit në një bazë ajrore afër kryeqytetit të Sudanit, Khartoum, ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Raportohet se askush nuk është lënduar nga të shtënat dhe se aeroplani ka aterruar në mënyrë të sigurt në bazën “Wadi Seidna”, ku ishte duke u kontrolluar, shkruan televizioni BBC.
Ushtria sudaneze i fajësoi paramilitarët për të shtënat në drejtim të aeroplanit dhe dëmtimin e sistemit të tij të karburantit.
Forcat për Mbështetje të Shpejtë e mohuan akuzën, duke thënë se janë të përkushtuara ndaj marrëveshjes së armëpushimit, të cilës i është zgjatur afati edhe për 72 orë.
Grupet rivale ushtarake në Sudan u pajtuan për zgjatjen e afatit të armëpushimit në mesnatën e kaluar për tri ditë të tjera.
Marrëveshja ka pasur pak efekt, pasi aeroplanët e ushtrisë vazhduan që t’i sulmonin pozicionet e Forcave për Mbështetje të Shpejtë në Khartoum gjatë natës.
Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, tha se do të vazhdojnë përpjekjet për t’i tërhequr qytetarët turq nga baza “Wadi Seidna” dhe nga qyteti Port Sudan, i cili shtrihet në bregdetin e Detit të Kuq.
Që nga shpërthimi i luftimeve para 14 ditëve, qindra njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre.
Civilët në kryeqytet janë duke u ballafaquar me mungesë të ushqimit, ujit dhe karburantit për shkak të luftimeve dhe frikës për të dalë nga shtëpitë.
