Aeroplanët amerikanë pengojnë një aeroplan rus afër Alaskës për herë të tretë brenda një jave
Disa aeroplanë luftarakë të Komandës Veriore Amerikane të Mbrojtjes Ajrore (NORAD) të dielën penguan një aeroplan rus në Zonën Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës (ADIZ) për herë të tretë për një javë, tha kjo komandë në një deklaratë.
Një aeroplan i tipit “E-3 Sentry” i komandës dhe kontrollit, dy aeroplanë luftarakë të tipit F-16 dhe dy aeroplanë KC-135 për rimbushje u dislokuan “për të penguar dhe për të identifikuar në mënyrë pamore” një aeroplan rus Il-20 për vëzhgim dhe zbulim që po operonte në Zonën Identifikuese të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës, tha komanda NORAD, raporton “ABC News”.
Aeroplani rus qëndroi në hapësirë ajrore ndërkombëtare dhe nuk hyri në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara apo Kanadasë, tha në deklaratë komanda NORAD. “Ky aktivitet rus në zonën ADIZ shfaqet rregullisht dhe nuk shihet si kërcënim” – thuhet më tej.
Zona ADIZ “nis aty ku përfundon hapësira ajrore sovrane dhe është një shtrirje e përcaktuar e hapësirës ajrore ndërkombëtare që kërkon identifikim të gatshëm të të gjithë aeroplanëve në interes të sigurisë kombëtare” – tha NORAD-i.
Gjatë javës së kaluar, aeroplanët luftarakë amerikanë të tipit F-16 ishin dislokuar dy herë – një herë më 20 gusht e një herë më 21 gusht – për të penguar aeroplanë rus Il-20 që po operonin në zonën ADIZ të Alaskës.
“NORAD-i përdor një rrjet mbrojtës shtresor të satelitëve, radarëve me bazë në tokë e në ajër dhe aeroplanëve luftarakë për të zbuluar dhe përcjellë aeroplanë dhe për të njoftuar veprime të duhura” – thuhet në deklaratën e komandës të dielën.
“NORAD-i mbetet i gatshëm që të zbatojë një numër të opsioneve reaguese në mbrojtje të Amerikës së Veriut” – thuhet më tej./Nacionale/Nasuf Abdyli