Administrata e Trumpit ia ndalon Harvardit regjistrimin e studentëve të huaj
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se do ta ndërpresë aftësinë e Universitetit të Harvardit që të regjistrojë studentë të huaj dhe i ka urdhëruar studentët e huaj ekzistues në universitetin e famshëm që t’i transferojnë studimet në institucione të tjera ose do ta humbin statusin ligjor.
Të enjten, gazeta “The New York Times” raportoi se administrata e Trumpit e kishte njoftuar Harvardin për vendimin pas komunikimit të vazhdueshëm në lidhje me “ligjshmërinë e kërkesave të shumta për të dhënat”, sipas tre familjarëve të afërt me çështjen.
Kërkesa për të dhëna vjen si pjesë e një hetimi nga Departamenti i Sigurisë së Atdheut, në të cilin zyrtarët federalë po e kërcënojnë pranimin e studentëve ndërkombëtarë në Harvard, shkruan gazeta “The Guardian”.
Sekretarja e Sigurisë së Atdheut, Kristi Noem, publikoi në rrjetin X një kopje të letrës dërguar Universitetit të Harvardit. “Po ju shkruaj që t’ju informoj se, me efekt të menjëhershëm, certifikata për Programin e Studentëve dhe Këmbimin e Vizitorëve është revokuar” – thuhet në të.
“Revokimi i certifikimit të Programit të Studentëve dhe Këmbimit të Vizitorëve do të thotë se Harvardit i ndalohet të ketë ndonjë të huaj me status joimigrant F ose J për vitin akademik shkollor 2025 – 2026. Ky decertifikim nënkupton që të huajt ekzistues me status joimigrant F ose J duhet të transferohen në një universitet tjetër me qëllim të ruajtjes së statusit të tyre joimigrant” – shtoi sekretarja Noem në letër.
Ajo e justifikoi vendimin duke thënë: “Ky veprim nuk duhet t’ju befasojë dhe është rezultat fatkeq i dështimit të Harvardit për t’i respektuar kërkesat e thjeshta për raportim... Pasojat duhet të pasojnë për t’u dërguar një sinjal të qartë Harvardit dhe të gjitha universiteteve që duan ta gëzojnë privilegjin e regjistrimit të studentëve të huaj, që administrata e Trumpit do ta zbatojë ligjin dhe do t’i çrrënjosë të këqijat e antiamerikanizmit dhe antisemitizmit në shoqëri dhe në kampuse.”
Ish-guvernatorja e Dakotës së Jugut gjithashtu e akuzoi Harvardin se i ka “ushqyer dhunën, antisemitizmin dhe është bashkërenduar me Partinë Komuniste të Kinës në kampusin e vet”.
Në një komunikatë tjetër për shtyp, Departamenti i Sigurisë së Atdheut tha: “Sekretarja Noem po e ndjek premtimin e saj për t’i mbrojtur studentët dhe për t’i ndaluar simpatizuesit e terroristëve nga pranimi i benefiteve nga qeveria amerikane.”
Një zëdhënës i Universitetit të Harvardit e quajti veprimin e qeverisë qendrore “të paligjshëm” në një deklaratë për gazetën “The Guardian” të enjten.
“Ne po punojmë shpejt që t’u ofrojmë udhëzime dhe mbështetje anëtarëve të komunitetit tonë. Ky veprim hakmarrës rrezikon që t’i dëmtojë rëndë komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë dhe e minon misionin akademik dhe hulumtues të Harvardit” – tha ai./Nacionale